Torturat e regjimit komunist, nga rrahja me dru deri tek shpimi i mishit me tel të djegur

 Torturat e regjimit komunist, nga rrahja me dru deri tek shpimi i mishit me tel të djegur

Memorja është një ndër elementët që bën njeriun atë që është. Pa memorjen, shumëçka humbet. Njëlloj duhet parë e shkuara, sado e dhimbshme të jetë. Periudha komuniste në Shqipëri është e dhimbshme për shumëkënd që u dënua e u persekutua prej saj. Por memorja e njerëzve që e kanë vuajtur hijen e errët të atij sistemi, është për të gjithë ne, një vlerë që nuk duhet hedhur në koshin e harresës.

Më poshtë po ju sjellim disa prej formave më të përdorura të torturës së përdorur nga regjimi komunist, nga një listë e hartuar nga Instituti i Studimeve për Krimet e Pasoja e Komunizmit në Shqipëri.

Disa prej këtyre torturave janë aq ekstreme, saqë të lënë pa fjalë. Nga rrahja me një copë druri e deri tek futja në gojë e jashtqitjes, këto janë disa nga format e torturës të përdorura gjatë 45 viteve komunizëm në Shqipëri.

Rrahja me dru, deri në shkaktimin e plagëve ose vdekjes

Kjo ka qenë forma klasike e torturës së përdorur në hetuesi nga oficerët e sigurimit. Konsistonte në goditjen me dru ose thupra të njerëzve në kokë e pjesë të ndryshme të trupit.

Shpimi i mishit me tel të djegur

Një torturë barbare e përdorur në vitet e para të instalimit të regjimit në vend. Personave i ngulej në mish një tel i nxehur. Nga përdorimi i kësaj torture ka vdekur avokat Muzafer Pipa në tetor 1946.

Përdorimi i rrymës elektrike tek veshët

Kjo metodë është përdorur po ashtu gjerësisht që viktima të pranonte akuzat ose të tregonte të dhëna në kurriz të të tjerëve.

Kripë në mish

Kjo lloj torture përdorej kur viktima tashmë kishte plagë në trup nga rrahja. Në plagët e tij vendosej kripë për të acaruar e përkeqësuar gjendjen e tij/saj.

Lënia në ujë të ftohtë

Një tjetër torturë e përdorur gjerësisht, ku i ‘pandehuri’ lihej në ambiente të jashtme i lagur (veçanërisht në kohën e dimrit). Në orët e mbrëmjes, hetuesit përdornin një fuçi me ujë dhe e vendosnin viktimën atje përpara se ta zinte gjumi.

Lënia pa ushqim

Kjo torturë është përdorur në hetuesi por edhe nëpër burgje. Një rast i tillë ka ndodhur dhe me ish- kryeministrin Kostaq Kota, i cili vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1948.

Përdorimi i jelekut

Një mjet për të rritur efektin e torturës. Në raste të ndryshme njerëzit lidheshin me jelek e mes duarve e këmbëve u vendoseshin drunj, në mënyrë që të vareshin.

Vendosja e dinamitit në trup

Në shumë raste, hetuesit kanë kërcënuar të dënuarit duke i lidhur në trup dinamit dhe duke ndezur fitilin

Shtrëngimi i pjesëve të ndjeshme të trupit me pinca

Kjo torturë është përdorur gjerësisht tek meshkujt, ku u shtrëngoheshin gjokset me pinca.

Futja e jashtëqitjes në gojë

Kjo torturë e frikshme kryhej në vitet e para të regjimit komunist, veçanërisht ndaj klerikëve që mbanin mjekër.

Varja me kokë poshtë

Kjo torturë u përdor gjerësisht ndaj atyre njerëzve që akuzoheshin për krime politike. Një torturë raskapitëse që linte pasoja të mëdha mendore

Lidhje e trupit me fije lini

Një torturë që mbetej në trupin e viktimës derisa të ishte gjallë. Njerëzit që e kishin këtë fat lidheshin fort me fije lini, aqsa pësonin dhe deformime në trup.

Lënia e njerëzve në diell për orë

Kjo torturë përdorej gjerësisht për të burgosurit e të paraburgosurit veçanërisht në muajt e verës. Veç aspektit torturues, përdorej edhe për t’u treguar si shembull për të burgosurit e tjerë

Përgatitja e varrit

Një torturë psikologjike. Viktima urdhërohej të hapte vetë varrin e tij ose kërcënohej përpara një varri të hapur duke i thënë se tani do të ekzekutohej

Vendosja e armës në gojë

Një torturë psikike që përdorej gjerësisht gjatë procesit të hetuesisë, ku viktimës i thuhej se nëse nuk fliste do të vritej në vend.

Tentativat për çnderim të vajzës ose gruas

Një torturë që i bëhe meshkujve. Në hetuesi silleshin me forcë vajza apo gruaja e këtij të fundit dhe kërcënohej se do të përdhunoheshin

Djegia e organeve seksuale

Kjo torturë çnjerëzore përdorej veçanërisht tek meshkujt, përmes djegies me benzinë.

Rrahje me kamxhik

Kamxhiku që përdorej për kafshët në torturë përdorej tek njerëzit në vend të drurit.

Vendosja e mangallit në vapën e gushtit

I futej në qeli të pandehurit në kulmin e vapës, në temperatura të larta të verës (dëshmi e Xhevat Xhafës). Kjo lloj torture i shkaktonte të burgosurit një siklet të madh, djersë pa fund e dobësim të mëtejshëm.

Lidhja me hekura në mur

Shumë të paraburgosur e kanë vuajtur këtë lloj torture. Lidheshin me hekura në mur dhe liheshin aty për ditë të tëra

Shurdhimi

Një torturë e tillë është kryer në burgun e Burrelit, ku viktima është vënë përpara zhurmave të pandërprera

Futja në arkivol

Për të pranuar procesverbalin e hetuesisë, shumë persona janë mbyllur brenda arkivolit dhe janë lënë aty për orë të tëra.

Hedhja nga lartësia

Një torturë e përdorur veçanërisht ndaj moshave të thyera. Një sërë personash kanë gjetur vdekjen duke e kthyer kërcënimin për t’i hedhur, në realitet

Këto janë vetëm disa nga format e torturës të përdorura në 45 vitet e regjimit komunist, të regjistruara nga dokumenta si dhe nga rrëfime të njerëzve që kanë parë apo provuar mbi kurriz vuajtjet.