Tragjedia në Kroaci, 26 të lënduar lënë spitalin! Shoferi i autobusit rrezikon deri në 15 vite burg

 Tragjedia në Kroaci, 26 të lënduar lënë spitalin! Shoferi i autobusit rrezikon deri në 15 vite burg

26 nga 44 të lënduarit në aksidentin e djeshëm në Kroaci, janë liruar ose pritet të lirohen nga spitali këtë të hënë. Lajmin e përcolli Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë. Të shumtë kanë qenë familjarët që kanë udhëtuar drejt spitalit të Slavonski Brod për të takuar të afërmit që i shpëtuan tragjedisë me 10 viktima.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate përmes ambasadës së Kosovës në Zagreb, lidhur me gjendjen e bashkatdhetarëve të aksidentuar dje në Sllavonski Brod, njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 14:00, janë 26 persona në proces të lirimit nga spitali.”-thuhet në njoftim.

Ndërkohë gjendja e atyre që morën lëndime më serioze, deri më tani është e stabilizuar.  15 prej të lënduarve morën plagë më të rënda gjatë aksidentit. Disa nga ata iu nënshtruan operimit që ditën e djeshme, ndërsa aktualisht, vetëm një pacient ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Faktin e konfirmoi dhe Ministria e Jasthme e Kosovës

“Trajtimin mjekësor në spital do ta vazhdojnë 15 persona gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile. Vetëm një rast është në gjendje më të rëndë”,-njoftoi ministria.

Ndërkohë Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, njoftoi se disa prej udhëtarëve do të nisen në Kosovë, ndërsa disa të tjerë drejt Gjermanisë. Sveça shtoi se do të bëhen përpjekjet maksimale që trupat e të ndjerëve

Jemi duke u koordinuar që të gjithë udhëtarët do të kthehen në Kosovë, apo në Gjermani për ata që duan. Po ashtu, po merremi që t’i dërgojmë edhe trupat e viktimave në Kosovë”, tha ai. 

Media kroate: Shoferi i autobusit ‘mbrohet’ me heshtje, rrezikon deri në 15 vite burgim

Këtë të hënë në median kroate u përcollën një sërë lajmesh në lidhje me fatin e shoferit të autobusit, i cili dyshohet të jetë bërë shkas i aksidentit. E nëse vërtetohet se përgjumja e shoferit ka qenë shkaku se përse autobusi ka dalë nga rruga, atëherë ky i fundit mund të përballet me burg deri në 15 vite, sipas ligjit të shtetit Kroat.

Sot shoferi u përcoll përpara prokurorit me pranga në duar. Sipas medias kroate, ai është ‘mbrojtur’ me heshtje, një detaj që i është konfirmuar gazetarëve nga ana e zv.prokurorit të qarkut atje, Franjo Kopuniç. Për shoferin është vendosur një avokat nga shteti dhe nesër pritet që të jepet verdikti nëse ai do të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet.

Shoferi do të procedohet penalisht për dyshime të kryerjes së veprës penale “shkaktim i aksidentit të trafikut rrugor”, për të cilin dënimi atje (Kroaci) është deri në 15 vite burgim.

Tashmë mbetet për t’u pritur ekspertiza e plotë e autoriteteve kroate, në lidhje me mënyrën e shkakun që solli aksidentin.

“Nëse nuk gjenden shenja frenimi apo shpërthimit të ndonjë gome, me siguri shoferin e ka zënë gjumi”

Ditën e djeshme një zyrtar i shtetit kroat u shpreh se shoferi pranoi se për një moment e kishte zënë gjumi në timon.

Por përtej këtij deklarimi, mediat kroate kanë pyetur ekspertë rrugorë për shkakun e mundshëm të aksidentit. Stanko Smodlaka, u shpreh se nëse nuk ka shenja të frenimit apo rrëshqitjes në rrugë, atëherë mbetet alternativa se shoferin mund ta ketë zënë gjumi në timon.

“Unë nuk i di detajet e asaj tragjedie, por nëse përcaktohet se nuk ka gjurmë të frenimit dhe rrëshqitjes në rrugë, atëherë njëqind për qind shoferin e ka zënë gjumi. Nëse nuk ka shenja në rrugë, atëherë hiqet dhe mundësia se një gomë mund të ketë shpërthyer gjatë udhëtimit, kjo pasi në shumë raste ndodh dhe diçka e tillë. Por në rast se ndodh, në rrugë gjen shenja. Aksidente të tilla, përgjithësisht ndodhin në orët e para të mëngjesit, veçanërisht kur shoferët udhëtojnë dhe gjatë natës.”