“Trajleri i bamirësisë” Iniciativa e një grupi të rinjsh për të ndihmuar njerëzit e pastrehë

 “Trajleri i bamirësisë” Iniciativa e një grupi të rinjsh për të ndihmuar njerëzit e pastrehë

Kudo ku të shkosh në botë, do të gjesh njerëz që jetojnë të vetmuar, në rrugë, pa asnjë shpresë dhe të dorëzuar. Ky realitet tregon më së miri, se sistemet që njerëzit kanë krijuar për të qeverisur jetën në këtë botë, janë të meta dhe larg perfektes.

Më poshtë po ju sjellim një histori të një grupi të rinjsh, që janë munduar të sjellin një të mirë në jetën e atyre që nuk kanë asgjë dhe enden në rrugë.

Robert Thornton, 43 vjeçar, së bashku me disa vajza që punojnë si parukiere e estetiste, i kanë vënë për qëllim vetes që të ndihmojnë të pastrehët.

Të gjithë ngjiten tek ky trajler dhe lëvizin nëpër rrugët e Arizonës (SHBA) për të ndihmuar të pastrehët. I presin flokët, i gjejnë veshje, ushqim e të tjera, me qëllimin që të mund të gjejnë një punë për të rifutur jetën në shinat e normalitetit.

Që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kanë ndihmuar 1600 persona të pastrehë, për t’i hequr nga trupi pisllëkun e rrugës dhe pamjen e çrregullt që sjell jetesa kur nuk ke një çati mbi kokë..

 43 vjeçari që e çoi përpara këtë iniciativë tha për median e huaj se pa një veshje e dukje të rregullt, këta njerëz nuk do të gjejnë kurrë një punë.

“Nuk besoj se njerëzit e kuptojnë sesa të vështirë e bën shoqëria ku jetojmë, që njerëzit të mund të ringrihen në këmbë. Në çdo interviste pune, pyetja që bëjnë është kush është adresa jote e shtëpisë. Shumë nga aplikimet për punë sot bëhen online dhe nuk besoj se njerëzit e pastrehë kanë celular dhe internet. Jemi ushqyer me atë narrativën se njerëzit që jetojnë në rrugë janë të droguar, të alkolizuar apo të frikshëm… kur në fakt nuk është kështu”-tha 43 vjeçari.

Deri më tani 11 prej personave që janë ndihmuar, kanë mundur të gjejnë punë për t’i dhënë edhe një shans një jete normale.

Kjo grua, e pastrehë, shpërthen në lot kur sheh veten me flokët e rregulluar dhe duart e lyera me manikyr, disa ‘detaje’ të vogla për shumëkënd, por të rëndësishme për një person që jeton pa asnjë shpresë.