Tre fëmijët e saj të paralizuar zvarriten në tokë! Thirrja e një nëne fatkeqe drejtuar shqiptarëve

 Tre fëmijët e saj të paralizuar zvarriten në tokë! Thirrja e një nëne fatkeqe drejtuar shqiptarëve

“Asnjë ditë nuk fillon pa u mërzit, pa qarë. Është një vuajtje që s’ka fund.”

Këto janë fjalët që vijnë prej zërit të një nëne. Lirie quhet dhe prej vitesh jeta e saj është skllavëruar prej sëmundjes. Jo të sajat, por të fëmijëve. Sprova për këtë nënë është trefishe, një barrë që veç shpirti arrin ta përballojë.

Shpirti sepse krahët i janë lodhur, shpresat i janë shuar, sytë i janë dërrmuar nga të qarat.

Liria: Kam 4 fëmijë, djem. Tre janë të sëmurë, paralizë. Nuk ecin fare. Më shumë kam ndenjur në spitale me ta, sesa në shtëpi. Nuk e imagjinoni dot sesi është të jetosh me tre fëmijë të sëmurë, çdo ditë… është vuajtja më e madhe për njeriun, për një nënë.

E ku ka fjalë që të rrokin të gjithë dhimbjen që provon kjo nënë fatkeqe, teksa sheh dy prej tre djemve të sëmurë, të zvarriten në tokë. Trupat e tyre janë të paralizuar. Gëzimi, Arlindi dhe Adi, të tre s’mund të ecin, s’mund të jetojnë, një pamje që të ther…

Nëna: Asnjë ditë nuk fillon pa u mërzit, pa qarë. Është një vuajtje që s’ka fund. Vetëm shpirti im e di sesa po vuan me këta fëmijë. Jemi sprovuar me një fatkeqësi shumë të rëndë. Kisha thurur ëndrra se do t’i shihja duke ecur, të gëzuar… por m’u përplas një realitet tjetër që asnjëherë  nuk e prisnim. Çdo prind, më beson, që t’i shohësh fëmijët… duke ecur përtokë. (qan) Sa e sa netë kam qarë, që të bëhen mirë, të çohen në këmbë. Sa e sa netë jam lutur, më plas shpirti si nënë.

Familja Idrizi jeton në Sukth, në një shtëpi me qira dhe në kushte të vështira ekonomike. Por shpresat, duket se nuk janë shuar plotësisht. Liria i tregon emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” se për fëmijët e saj ka një mundësi shërimi, por fatura është tejet e kripur. Kësaj nëne, që derdh lot përditë për fëmijët, nuk i ka mbetur veçse të lutet, të thërrasë në ndihmë shqiptarët.

“I kemi çuar të tre në një spital në Prizren. Doktorët na kanë thënë se bëhen, por kushton shumë. Nuk i kemi ne 40 mijë euro. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të na ndihmojnë me këta fëmijë të sëmurë, që të ecin edhe ata si fëmijët e tjerë.”-thotë nëna.