U rrit i varfër! Sot ndihmon qindra fëmijë, me ‘kushtin’ që ata të mos lënë shkollën

 U rrit i varfër! Sot ndihmon qindra fëmijë, me ‘kushtin’ që ata të mos lënë shkollën

Që një shoqëri të ndryshojë për mirë, fillimisht duhet të ndryshojnë individët. Në këtë aspekt, edhe për politikanët duhet të bëhet e detyrueshme që përpara se të ulen në karriget e pushtetit, do duhet të ndihmojnë të paktën dikë përpara se të marrin postin.

AP Photo/Andreea Alexandru

Ky është mendimi i një aktivisti, që prej vitesh mundohet të ndihmojë fëmijët në nevojë, me ushqime, veshmbathje, kompjutera e gjithçka mundet. Quhet Valeriu Nicolae dhe jeton në Rumani.

Aktivisti e ka nisur që në vitin 2007 orvatjen për të ndihmuar fëmijët. Associated Press i ka kushtuar një artikull këtij njeriu që ndihmon dhe asiston të paktën 315 fëmijë. Ai së bashku me grupin e tij mbështesin këta fëmijë së bashku me familjet e tyre, familje që jetojnë në kushte tejet të vështira ekonomike.

AP Photo/Andreea Alexandru

Ama Valeriu, në këmbim të ndihmës, ka një “kusht” për fëmijët. Që ata në asnjë mënyrë të mos braktisin shkollën.

Ai mendon se shkollimi i fëmijëve është një ndër format më kryesore që do t’i mbajnë këta të fundit lag rrugëve dhe fenomeneve negative si alkooli e droga. Puna e këtij njeriu bamirës mori një përmasë edhe më të rëndësishme gjatë pandemisë, ku atij i është dashur të udhëtojë rreth 200 km larg Bukureshtit e nëpër këmbët e Karpateve, për të siguruar ushqim për shumë nga këto familje në nevojë.

“Nuk ka gjë më të bukur, kur sheh se i ke ndryshuar jetën për mirë një fëmije. Nuk besoj se ka njerëz më të vlerësuar se ata që ndihmojnë”-tha Valeriu.

AP Photo/Andreea Alexandru

Vetë ai vjen nga një familje e varfër, me origjinë nga familjet cigane. Nicolae tregon se dëshira për të ndihmuar të tjerët erdhi qëkur ishte fëmijë, pasi ai vetë ka qenë njëri ndër ata që ka marrë ndihmë nga të tjerët.

“Dua të jem një njeri më i mirë, pak nga pak gjatë viteve”-tha Valeriu, duke shtuar me shaka se “nuk dua të jem shenjtor, se fundja shenjtorët ndonjëherë kanë fund tragjik”

Artikulli u botua në janar në AP/ Pershtati “Shqiptarët për Shqiptarët.info”