“Unë jam fukara…” Mesazhi prekës që erdhi në emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët

 “Unë jam fukara…” Mesazhi prekës që erdhi në emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët

Mbrëmjen e djeshme emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ nisi sezonin e ri. Sollëm dy histori të gëzueshme, të dy të moshuarve me probleme e halle të jashtëzakonshme, të cilat u zgjidhën falë emisionit dhe shqiptarëve.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” solli po ashtu dhe dy histori thellësisht të trishta, atë të Xhevitit 5 vjeçar, i sëmurë nga kanceri si dhe rrëfimin e një familje në Lushnje me tre jetimë që jetonin në kushte tejet të vështira.

Shqiptarët zemërmirë dhe bamirës sollën qindra mesazhe në mbështetje të kauzës së emisionit si dhe ndihmuan në mbledhjen e fondeve të nevojshme për operimin e Xhevitit të vogël dhe shpëtimin e tre jetimëve nga jeta e pushtuar nga varfëria. Një maratonë e vërtetë bamirësie për këta fëmijë dhe familjet e tyre të pamundura.

Mes dhjetëra mesazheve që arritën të lexojnë Elvis Naçi e Sidrit Bejleri, njëri ishte i pazakontë. Elvisi lexoi mesazhin e një shqiptari që po ndiqte emisionin. Fjalët e tij ishin prekëse.

“Jam Nikolini. Unë jam fukara për vete dhe jam duke dhuruar veç lot. Sikur të ishin lekë lotët e mi, do të ishin shumë pare”-shkruhej në mesazhin që ky zotëri kishte sjellë për emisionin dhe Elvis Naçin.

“Zoti të shpërbleftë dhe t’i shtoftë mirësitë ty Nikolin dhe familjes tënde”-tha Elvis Naçi, i cili ditën e djeshme gjatë nisjes së emisionit, iu drejtua me një mesazh shikuesve, pikërisht për modelin që sjell edhe ky shqiptar.