“Unë kështu e mbaj mend jetën time… duke vuajtur”

 “Unë kështu e mbaj mend jetën time… duke vuajtur”

11 vite më parë Arzie Abdurrahmani, një shqiptare e Shkupit, solli në jetë dy vajza binjake, por fati e deshi që njëra prej tyre të përballej me një sprovë që sot e kësaj dite e torturon.

Tortura e Adisës i qëndron në trup e teksa vitet kalojnë, jeta bëhet edhe më e rëndë. Frymëmarrja vështirësohet çdo ditë, dhimbjet shtohen, kurse shpresat e vogla të kësaj vajze shuhen.

11 vjeçarja vuan nga skolioza. Sëmundja ia ka përthyer trupin dhe ia ka marrë fëmijërinë nga kujtimet, ia ka rrëmbyer nga duart.

Adisa thotë se kështu e mban mend veten, qëkur ajo ka kujtimet e para… duke vuajtur.

“Më dhemb shpina, gjithmonë e sëmurë kam qenë”-thotë 11 vjeçarja për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’.

Në banesën e tyre në fshatin Luboten të Shkupit, qëndron me kokën ulur nëna e Adisës. Arzia duket e dorëzuar. Fillikat në dhimbjen e saj si nënë, Arzia e shoqëron veten me lotë. Lotët e mbushin dhomën. Dhimbja është e madhe jo vetëm sepse e bija s’ka parë një ditë pa vuajtje, por sepse ajo e ka të pamundur që t’ja heqë nga trupi barrën së bijës.

Arzia: Kemi pas operacione te njëpasnjëshme , me shume në spitale se në shtëpi. Problemi po zmadhohej, operacionet e para i ka pasur shumë të rrezikshme, operacionin tek këmba e bëmë pasi donim me ja drejtuar.

Vuan, nuk mund të luajë me të tjetë… as me motrën, mundohet të shkruajë e lexojë por nuk mundet.

Shumë rëndë ta kesh fëmijën kështu. Më shumë nëper spitale kam qene me ciken e tjetrën me e lenë ne shtëpi e atë e kam lenë pak anash.

Arzia dhe i shoqi Avniu janë të dy të papunë dhe kushtet ekonomike nuk ia mundësojnë kryerjen e operacionit aq të nevojshëm për të bijën.

Aviu: Problemet nisen që në 2009 kur lindi goca. Kur ka lind s ‘ka ardh në shtëpi hiç, ka qëndruar vetëm ne spital 6 muaj. Shumë i mërzit jam, çika me thotë pse unë nuk eci dot , shumë rëndë për prindërit për prindërit qe kur rritet edhe me zor e ka e vjen deri tek ngushtimi i zemres është duke depërtuar shumë keq e duhet të behët patjetër operacion

Pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike, prindërit e kanë dërguar vajzën për ekzaminime në një spital në Gjermani, por atje u kanë thënë se duhet një shumë prej 50 mijë eurosh për të kryer ndërhyrjen e nevojshme për t’i shpëtuar jetën 11 vjeçares. Një shumë tepër e madhe për shpatullat e kësaj familje të varfër shqiptare.

Për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, një apel e bëri dhe vetë Adisa. 11 vjeçe dhe kurrë nuk ka mundur të bëjë një jetë normale e kësisoj, e vetmja gjë që ajo kërkon, është një shans që edhe ajo të jetë si gjithë fëmijët e tjerë.

“Dua të shërohem, të luaj me motrën e vëllain e shokët e shoqet”,-thotë Adisa.