Unë s’mund ta di pse nuk më mori Zoti” Rasti i veçantë i murgeshës 116 vjeçare, kaloi Covid pa e ndjerë

 Unë s’mund ta di pse nuk më mori Zoti” Rasti i veçantë i murgeshës 116 vjeçare, kaloi Covid pa e ndjerë

Sipas grupit të kërkimit gerontologjik (GRG) ajo është personi më i vjetër aktualisht në Evropë dhe e dyta në botë.

Quhet Lucile Randon (Lusil Randon) dhe është plot 116 vjeçe. E veshur me rrobat e murgeshës dhe besimtare e devotshme që në fillimet e shekullit të kaluar, kjo grua nga Franca u infektua e më pas kaloi koronavirusin.

E teksa virusi ka qenë i pamëshirshëm edhe me të rinjtë, motër Andreja siç e njohin të gjithë, thotë që as e ka kuptuar fare që ka qenë e infektuar. Ajo rezultoi e infektuar më 16 janar, ndërsa tani është mirë në gjendje shëndetësore e shumë pranë ditëlindjes së 117.

Mediat në Francë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë rastit të saj. Ajo foli me një gazetar të medias ‘Var Matin’ i cili arriti t’i shkëpusë gruas disa mendime se përse Zoti kishte vendosur ta linte ende në këtë botë.

-A të shqetësoi fakti që rezultove pozitive me Covid?

E moshuara: Jo, nuk e dija fare që e kisha.

-Po frikë a kishe?

E moshuara: Jo jo fare, sepse nuk kam frikë nga vdekja

-E përse mendon se Zoti ka ‘vonuar’ kaq shumë që të vijë tek ty?

E moshuara: Unë nuk e di se përse Ai nuk ka ardhur tek unë, mbase ngaqë ende nuk gjetur ‘lirinë’ dhe seriozitetin (devocionin) e mjaftueshëm tek unë.

-Pra Ai nuk do t’ju marrë akoma?

E moshuara: Oh, këtë nuk e di ta them

-(Gazetari buzëqesh) Ne jemi të lumtur motër që Zoti nuk ju ka marrë akoma, që ju ka lënë ende mes nesh

E moshuara: Jam e lumtur që jam këtu me ju (në këtë botë), por dëshira ime është të jem diku tjetër… të bashkohem me vëllain tim, me gjyshen dhe gjyshin tim.

E moshuara jeton aktualisht në një shtëpi pushimi n Francë dhe kurrë nuk u shqetësua për veten. I vetmi rast kur tregoi shqetësim tek punonjësit atje, ishte kur mësoi se 88 të moshuar të tjerë rezidentë në shtëpinë e pushimit ishin prekur nga Covid. Fatkeqësisht 10 prej tyre ndërruan jetë.

Motër Andrea ka lindur më 11 shkurt të vitit 1904 dhe nesër bën plot 117 vjeç. Ajo është lejuar të shkojë të falet në Kishë, dhe ashtu siç i tha gazetarit, pret që Zoti të vijë për ta bashkuar me njerëzit më të dashur.