Usta Luani, 80 vjeçari nga Durrësi që nuk ka lejuar teknologjinë t’i “gllabërojë” zanatin

 Usta Luani, 80 vjeçari nga Durrësi që nuk ka lejuar teknologjinë t’i “gllabërojë” zanatin

Në dy shekujt e fundit përparimi i teknologjisë ka bërë që qindra, në mos mijëra zanate, të zhduken apo ‘asimilohen’ nga makineritë.

Por ky 80 vjeçar, që të gjithë e njohin si usta Luani, vazhdon të punojë një zanat që sot nëpër qytetet e Shqipërisë e numëron pak e më pak.

Luan Çaloku punon prej 60 vitesh pa pushim. Me ndryshimin e sistemit në vitet ’90, ai u largua nga puna si axhustator e saldator në hekurudhën shqiptare, për të nisur punë si ndreqës çelësash.

Luan Caloku: Me këtë profesion unë kam punuar 55-60 vjet pa pushim. Tani jam rreth të 80-ve. Kam punuar në bazën mekanike të hekurudhës si axhustator-saldator. Kam punuar me lokomotivat që ende janë në qarkullim.

Atëherë doli një ligj për të dalë në pension 50 vjeç me 60% dhe unë doja të nisja aktivitet privat.

Makineritë ia kanë lehtësuar punën këtij 80 vjeçari, por sërish dorën, mendjen dhe eksperiencën e Luanit, nuk e gjen tek objektet.

”Më parë merrnim llamarina që i punonim me dorë. Merrnim formën për masën e çelësit dhe e vendosnim në morsë. Tani ka makina shumë të mira e që punojnë me cilësi të lartë. Kam dhe një dhomë tjetër ku bëj punët mekanike dhe po të jenë këto pajisje atje mund të abuzohet nga ndokush. Ndaj klientit duhet t’ia bësh punën para syve që të jetë i sigurtë”-tha në prononcim për Top Channel mjeshtri i çelësave.

Luani mbetet i gëzuar, sepse thotë se edhe kur të largohet nga kjo botë, zanatin ia ka mësuar të birit dhe shpreson që ai ta çojë punën përpara.