“Vajzat nuk e vazhduan, më vjen keq të humbasë tradita” Një zanat i vjetër, që në Shqipëri po shuhet

 “Vajzat nuk e vazhduan, më vjen keq të humbasë tradita” Një zanat i vjetër, që në Shqipëri po shuhet

Një zanat i lashtë që ashtu si në do cep të botës, ka qenë i kërkuar dhe i nevojshëm për çdo shtëpi. Por tashmë po shuhet. Pandemia dhe mosardhja e turistëve, kanë sjellë po ashtu dhe një dëm të pariparueshëm.

Po flasim për punimet në tezgjah, një zanat i lashtë sa njerëzimi.

Kjo është Mirela Dadaj dhe prej 15 vitesh vijon të bëjë punime në tezgjah, për të nxjerrë prej aty qilima, sixhade apo velenxa me motive e ornamente. Në një prononcim për Report tv, Dadaj tregon se ky zanat ka një punë krijuese tejet të gjatë por edhe jashtëzakonisht të bukur.

“Kam goxha vite, kam 10-15 vite punë. Tezgjahu është gjë e bukur e lodhshme, por është e bukur. Është punë e mirë por jo me leverdi të madhe. Pandemia bllokoi shumë aktivitete jo më këtë. Çdo të mirë turizmi e sjell, tani që s’ka turizëm, s’ka as shitje.

Procesi nis që nga përpunimi leshit, ngjyrosja, endja në tezgjah. Është një proces tejet i gjatë por kur fillon, të tërheq vetiu”.”-thotë Dadaj.

Por fatkeqësisht, ky zanat ka filluar të zhduket. Mirela thotë se dikur në punishte kishte 18 gra që punonin, ndërsa sot kanë mbetur 2 apo 3 që punojnë në një fshat (Asim Zeneli) të Gjirokastrës. Një keqardhje më vete për këtë grua, është dhe fakti se asnjëra nga vajzat e saj nuk preferoi ta mësojë zanatin.

“Ka 2-3 gra në këtë fshat që punojnë tezgjah. Ka ikur tradita, kjo sa vete e po humbet. Nuk duhet të humbasë asnjëherë. Që me mbylljen e tregut në Gjirokastër s’ka më punë. Ne ecëm shumë mirë për 8-9 vite, ishim gjithë ato gra që punonim këtu, por tani s’ka më.

E mira është që ta lësh trashëgimi por në këtë kohë që erdhi të rinjtë nuk e preferojnë. Vajzat e mia, njëra iku në emigrim dhe tjetra punon juriste. Më vjen keq se është gjynah të humbasë tradita“.-tha Mirela.