Vlorë, po punonte tokën kur gjen në oborr një predhë të Luftës së Dytë Botërore

 Vlorë, po punonte tokën kur gjen në oborr një predhë të Luftës së Dytë Botërore

Një banor i fshatit Peshkëpi në Vlorë ka gjetur në tokën e tij, një predhë të shekullit të shkuar. Banori tregoi se po punonte me disa pemë, kur ka pikasur një objekt metalik në një thellësi prej 1.5 metrash në tokë.

Fatmirësisht asnjë incident nuk ka ndodhur gjatë gërmimit e nxjerrjes së predhës, pasi kjo e fundit besohet të jetë e paplasur dhe e rrezikshme. Predha dyshohet se i përket kohërave të Luftës së Dytë Botërore dhe peshon rreth 50-70 kilogramë.

Banori që e gjeti thotë se dikur, në zonë ka patur një garnizon të Italisë fashiste.

“Kam afërsisht 20 vjet që jam këtu, kemi banuar lart në fshat të vjetër. Tani merrem me kultivimin e pemëve dekorative, palma. Kisha ofertë për 10 palma, po i shkulja dhe gjeta një predhë, ja hoqa dheun me terezi, e ngrita me duar. Atje matanë ka qenë garnizonë e Italisë dhe këtu ka qenë furra e bukës. Ka qenë zonë ushtarake, më poshtë ka qenë aerodromi. Predha është e paplasur. I përket atyre viteve ndoshta, por është e hershme. Është e rrezikshme, po e ruaj aty derisa të vijnë ata të policisë”, tha banori që e gjeti.