Vuan nga sëmundja e rëndë! Shqiptarët i përgjigjen lutjes së Ismailit, mblidhen paratë për kurën e tij

 Vuan nga sëmundja e rëndë! Shqiptarët i përgjigjen lutjes së Ismailit, mblidhen paratë për kurën e tij

Ismail Ismaili quhet ky shqiptar i Shkupit që mbi kurriz ka një sprovë të madhe. Na tregoi se Zoti lart i fali tre vajza…gjithçka shkonte mirë, derisa iu shfaq një sëmundje e rëndë…

“Quhem Ismail Ismaili. Jam i lindur në Shkup në vitin ’64. U martova në moshën 24 vjeçare. Zoti më fali tre fëmijë, tre vajza. Ishim mirë. Kishim një jetë të rehatshme, por më pas në moshën 43 vjeçare m’u lajmërua një kokërr pas veshit… Mjeku më tha është kancer dhe se më është shpërndarë në pjesë të tjera të trupit. Nuk e prishja kurrë. U frigova shumë.”-tregoi për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, Ismaili.

Ismaili kreu një sërë vizitash, një operacion e më pas kemio-terapi. Por ama sëmundja iu përhap në një pjesë të mushkërisë. 18 mijë euro kushtonin barnat për t’u trajtuar, para që familja nuk i kishte.

“Shqiptarët për Shqiptarët” nuk e lanë në harresë lutjen e tij për ndihmë. Në emisionin e të premtes, Elvis Naçi dha lajmin e mirë se paratë për Ismailin janë mbledhur.

Elvis Naçi: Ne kërkuam që të mbledhin 18 mijë euro për ilaçet, që ndoshta, me lutjet tona dhe me Zotin përpara, Ismaili të shërohet dhe të jetë pranë familjes. Sprova për të është shumë e madhe.

Përfaqësuesi i Fondacionit Firdeus në Maqedoninë e Veriut Bashkim Bajrami, tregoi se tashmë paratë kanë kaluar në llogarinë e Ismailit, që ai të mund të blejë kurën për të luftuar sëmundjen e rëndë.

Bashkim Bajrami: Mirmbrëma dhe përshëndetje për të gjithë shqiptarët që na ndjekin. Dua të falenderoj në emrin tim dhe te Ismailit të gjithë donatorët që kanë kontribuar dhe që sot të jepet lajmi i mirë se paratë janë mbledhur. Fondacioni Firdeus i Shqipërisë i ka dërguar paratë në llogarinë e Fondacionit Firdeus në Maqedoninë e Veriut, ku ne sot i kemi dërguar këto para në llogarinë e Ismailit, që mjekimi i tij të vijojë. Amaneti ka shkuar në vend.

Elvis: Faleminderit Bashkim, neve nuk na mbetet t’i lutemi Zotit, që Ismailin ta shikojmë mirë dhe të jetë pranë familjes.