Vuan nga sëmundja por muzika e tij mblodhi miliona në bamirësi, historia prekëse e ish mësuesit

 Vuan nga sëmundja por muzika e tij mblodhi miliona në bamirësi, historia prekëse e ish mësuesit

Viti 2020. 81 vjeçari Paul Harvey po qëndronte përpara pianos. Ishte së bashku me të birin, Nikun, kur ky i fundit i kërkoi të atit të kompozonte një melodi me vetëm 4 nota. Prej kohësh 81 vjeçari ishte i prekur nga sëmundja e demencës dhe memorja e tij ishte prekur ndjeshëm.

Por pavarësisht sëmundjes së rëndë, i moshuari, ish mësues muzike e pianist, nisi të shtypë tastet… krijon një melodi të bukur, me vetëm 4 nota (F natyral, A, D e B natyral).

I biri e regjistroi të atin, teksa luante në piano, veshur me pizhamat, një melodi që e krijoi nga hiçi. E qe pikërisht kjo video e cila u bë virale dhe tërhoqi vëmendjen e njerëzve e medias.

BBC e ndoqi historinë e të moshuarit dhe i dha hapësirën për ta luajtur melodinë në njërin prej programeve të saj. Në nëntor, një miliarder vendosi t’i dhurojë 1 milionë paund për bamirësi, i prekur nga muzika e të moshuarit. Paratë shkuan për të ndihmuar njerëzit e prekur nga demenca e sëmundje të tjera. (Shiko videon më poshtë)

Disa ditë më parë (2021), BBC e thërriti sërish të moshuarin, për t’i plotësuar një ndër dëshirat e tij të jetës, të drejtojë një orkestër filarmonike. Shikojeni këtu videon prekëse dhe historinë e një të moshuari që preku milona zemra.