Xhesi më në fund do të shpëtojë nga tubi që i ‘pushtoi’ jetën, shqiptarët mbledhin fondet

 Xhesi më në fund do të shpëtojë nga tubi që i ‘pushtoi’ jetën, shqiptarët mbledhin fondet

Shpesh herë kemi lexuar apo dëgjuar lajme për vështirësitë në frymëmarrje që kalojnë ata që janë të prekur prej Covid.. por rrallëkush ka dëgjuar histori si ajo e kësaj 14 vjeçareje nga qyteti i Lushnjes.

Xhesilaida, jeton prej 13 vitesh me një gyp të ‘prangosur’ në fyt. Kjo është e vetmja mënyrë që ajo mund të marrë frymë. Dhe jeta për Xhesin, ka qenë një frymë që pritej nga dhimbja, pamundësia, humbja e gëzimit të të qenit fëmijë.

Shqiptarët për shqiptarët e përcollën rastin e 14 vjeçares, e cila ka nevojë për një operim për të shpëtuar nga gypi që e ka pushtuar prej mëse një dekade. Ajo ditë erdhi më në fund, falë kontributeve të qindrave që u përlotën nga ky rast.

Fatma Naçi udhëtoi drejt qytetit dhe u përlot teksa dëgjonte dëshirat e adoleshentes. Zëi i Xhesit fliste për ëndrra, ndërsa zhurma e gypit në fytin e saj i ‘thyente’ ato.

Xhesilaida

Fatma: Të kemi shumë xhan dhe jemi këtu për të të ndihmuar dhe për të të përkrahur ty. Ti Xhesi ke dalë nga fshati?

Xhesilaida: Vetëm për të shkuar në spital, nuk dal dot tani dhe prej Covid.

Fatma: Alehandro zemër, ti dëshirën më të madhe ke shërimin e motrës?

Alehandro: Po kam shumë qejf që ajo të shërohet dhe të mund të shkojë në shkollë tek shoqet e shokët. Dua që dëshira e saj të realizohet, të shërohet. Unë e kam shumë xhan, ajo është e sëmurë. Në shkollë e shajnë… (qan)

Fatma: Xhesi çfarë ke dëshirë?

Xhesilaida: Unë dua të shërohem dhe të kem rroba të bukura.

Ne sot duam të të dhurojmë shumë më shumë se këto dhurata. Unë dua të them që të kemi sjellë një ditar të ri. Hape pak të lutem. Ai ditar është bosh dhe ne duam që ta mbushësh vetëm me kujtime të bukura.

Sepse ne jemi këtu për të të thënë që të gjithë shqiptarët u mblodhën dhe e bënë të mundur shumë e parave për operacionin tënd.

Por fatmirësisht, makthi shumë shpejt do të përfundojë. Fatma i jep lajmin Xhesit, e cila menjëherë mbulon fytyrën me duar. Qan.

Vazhdon të qajë… mbase tashmë ka ardhur dita që ëndrrat t’i bëhen realitet.