“Zorr më ka ardh, ndoshta e kam tepru” I paralizuar tërësisht, çfarë bënë shqiptarët për Nebiun

 “Zorr më ka ardh, ndoshta e kam tepru” I paralizuar tërësisht, çfarë bënë shqiptarët për Nebiun

Varfëria është një kafshatë që nuk kapërdihet.

I sëmurë rëndë në trup dhe i pamundur për ta parë të lumtur familjen, Nebi Gashi u ndihmua nga emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ një vit më parë. Me donacionet e shqiptarëve, paraliza e Nebiut nga Kosova u lehtësua disi me blerjen e një banese të re për familjen, por sot, djali nga Graçanica ka sërish nevojë për ndihmë.

I përlotur dhe në dhimbje për sëmundjeve që e kanë kapluar, Nebi Gashi thotë se i vinte zor të kërkonte sërish ndihmë tek shqiptarët. Sëmundja i ka avancuar dhe tashmë nuk ngrihet më dot nga shtrati, ndërsa në qafë i është mpiksur gjaku. Një operacion i kushtueshëm është shpëtimi i vetëm për Nebiun, që gjendja e tij të mos degradojë atje sa vdekja ta marrë në krahë.

Qafa më ka mbledh… nuk mundem me lëviz as duart. Më ka ardh zorr me ju thirr e me ju kallxu, se ndoshta e kam tepru. -thotë Nebiu në lotë.

“E falenderoj Elvisin për banesën e për shërim më ka ardh keq me I thën. Atëherë ka qenë mirë por tashmë jo, duhet operuar jashtë. Po të rrijë kështu Nebiu, veçse përkeqësohet.”-tha gruaja e Nebiut.

Por shqiptarët nuk mund ta linin vetëm shqiptarin e Kosovës. Brenda javës është bërë i mundur grumbullimi i shumës së nevojshme për të kryer operacionin e Nebiut.

“I përshëndes krejt shqiptarët që kanë kontribuar për mu, Allahu i shpërbleftë dhe faleminderit prej të gjitëve që më erdhi mundësia kaq shpejt me shku dhe me u operu. E falënderoj Elvis Naçin e stafin e tij që ma mundësuan me shku dhe me u operu.”-thotë Nebiu.

Reperi kosovar Gold AG po ashtu erdhi në banesën e Nebiut për ta ndihmuar në rrugëtim drejt aeroportit. Nebiu u nis drejt Turqisë dhe do t’i nënshtrohet operacionit tashmë.