“Zoti e ka shkruar” Sprovat dhe mundimet e një nëne me fëmijën autik

 “Zoti e ka shkruar” Sprovat dhe mundimet e një nëne me fëmijën autik

Dhjetëra familje në Shqipëri përballen me lajmin se vajza apo djali i tyre vuan nga çrregullime të spektrit autik. Kush më shumë e kush më pak, autizmi është një gjendje të cilës shkenca nuk ia ka gjetur zgjidhjen. Në shumicën e rasteve të fëmijëve autikë, barra kryesore bie me prindërit. Në veçanti për nënën, atë që sjell jetën.

Afërdita Keta është njëra prej atyre nënave, që fëmijën e ka të prekur nga autizmi. Ajo ka treguar historinë e djalit të saj Kevinit dhe të gjitha vështirësitë me të cilat përballet një nënë me një fëmijë autik.

“Shumica nuk më besonin, thoshin që nuk ka gjë, do kalojë, do përmirësohet, do flasë, shikoja shikimet e Kevin, nuk më ndiqte. Në moshën 3 vjeç e gjysmë kam ardhur në Tiranë sepse Durrësi nuk më jepte zgjidhje për Kevin dhe i bëra një kontroll, vlerësim le të themi dhe aty më thanë që Kevin është diagnostikuar me çrregullimin e spektrit autik.
Aty përmbyset çdo gjë, mendonim se ishim një familje e shëndetshme, nuk e di por Zoti i ka shkruar vetë punët e veta. Më pas filluam ta ndiqnim me terapi, terapistja e parë Ana ka bërë shumë për Kevin, i ka dhënë e para plastelina në dorë Kevinit dhe ka parë talentin e tij me plastelina.
”-tha nëna në emisionin ‘Historia Ime’.

Afërdita tregoi dhe për sakrificat që ka bërë jo vetëm ajo, por edhe djali i saj i madh. Fabio i është gjendur pranë kurdoherë nënës dhe të vëllait autik, që në moshë të vogël.

Afërdita Keta: Kjo është një ndër historitë që më ka ngelur peng për Fabion. Ka qenë festa e Abetares dhe në atë kohë u sëmur Kevin dhe aq i vogël sa ishte, Fabio më thoshte, nuk ka gjë ik tek Kevin se unë jam i madh, unë jam rritur, unë e kam mësuar Abetaren.

-Ti nuk shkove tek festa e Abetares?

Afërdita Keta: Jo absolutisht isha me Kevin, e ka shoqëruar xhaxhai i vetë atë ditë. Unë bashkë me tim shoq kemi qenë me Kevin në spital dhe të them të drejtën pasi mbaroi festën, ka ardhur direkt tek spitali dhe më tregonte mami kam bërë këtë, kam bërë atë, kalova shumë bukur por më rrinte mendja tek Kevin.
Ka qenë shumë i mbarë si fëmijë dhe vazhdon të jetë i mbarë, bën shumë për Kevin, edhe kohën e lirë nuk është si fëmijët e tjerë që të ikë, të shoqërohet, të dalë, gjithmonë më thotë mami po e marr Kevin dhe po dal. Më ka ndihmuar për çdo gjë, edhe në shtëpi, nuk kam fjalë për Fabion. Edhe me mësime është shumë, shumë mirë, vazhdon shkollën për Inxhinieri Informatikë.

Por çfarë do të thotë të përkujdesesh për një fëmijë autik? Afërdita tregon se sakrificat janë të shumta, ndërsa ndihma e institucioneve shtetërore është thuajse inekzistente. Mungesa e qendrave të specializuara për fëmijët autik ka qenë po ashtu një problematikë e theksuar.

Çfarë do të thotë të përballesh me një situatë të tillë, një terapi sa lekë bën?

Afërdita Keta: Në momentin që unë e kam çuar për herë të parë Kevin në terapi para 10 viteve, kam paguar 10-15 mijë lekë ora, këto janë terapi intensive sepse ishte fillimi. Nëse do ta marrim të përgjithshme për një muaj, më e pakta që mund të them unë është tek 400-500 mijë lekë vetëm terapi, prandaj them që ne nuk kemi patur mbështetje nga asnjë institucion dhe kjo është luftë me këta fëmijë që bëjmë ne çdo ditë. Është një sakrificë shumë e madhe, ne kemi harruar hallet e tjera dhe jemi përkushtuar vetëm tek djali.