11 orë në det të hapur, çfarë thonë qytetarët që zbarkuan më në fund në portin e Vlorës

 11 orë në det të hapur, çfarë thonë qytetarët që zbarkuan më në fund në portin e Vlorës

“Nga ora 6 e mëngjesit deri tani. Nuk kemi ngrënë, asnjë nuk na lajmëroi, asgjë fare”

Kështu u shpreh i revoltuar një prej 118 pasagjerëve të tragetit të linjës Brindisi- Vlorë, i cili arriti më në fund të ankorohet në portin e Vlorës.

Pas afro 11 orëve në det të hapur, të bllokuar për shkak të kushteve të këqija të motit e detit, pasagjerët kanë arritur të dalin nga trageti, për t’ju drejtuar banesave të tyre.

Një tjetër pasagjer tregoi për median, se ishte një orvatje shumë e lodhshme, veçanërisht sipas tij, për ata pasagjerë që ishin fëmijë apo ata njerëz që nuk kishin prenotuar një dhomë për të qëndruar.

“Nga ora 8 deri tani. U nisëm parmbrëmë në orën 2 të darkës. Për ne që jemi të rinj nuk ishte shumë, por e lodhshme për ata që ishin me fëmijë apo me të moshuar..

Ushqimin e blemë atje, 15 euro pjata e makaronave. Sa të donin ata. Ujë absolutisht nuk na dhanë, çdo gjë e kemi konsumuar në lokal. Kishte njerëz pa dhoma në traget, shumica, keq ishte për fëmijët që qanin.”-tha një tjetër pasagjer.

“Shumë e lodhshme, torturuese… nuk është normale”-tregoi një i ri.

“Ishte shumë e lodhshme dhe e mundimshme, mbi të gjitha e turpshme”-tregoi një i moshuar.

Kjo nuk hera e parë që pasagjerët mbeten të bllokuar në traget për shkak të kushteve të motit e vështirësive për t’u ankoruar në portin e Vlorës.