32 vjeçari që ka koleksionuar mbi 2 mijë video-kaseta të masakrave gjatë luftës në Kosovë

 32 vjeçari që ka koleksionuar mbi 2 mijë video-kaseta të masakrave gjatë luftës në Kosovë

Esat Shala ishte 12 vjeç kur nisi lufta në Kosovë. Në fshatin e tij Krajkovë (Drenas), ashtu si gjithë të tjerëve edhe shtëpia e tij u dogj nga forcat serbe. Motra e tij e madhe u vra në atë kohë, ndërsa disa familjarë të tjerë iu zhdukën.

Këto ngjarje të tmerrshme të jetës së tij, kanë bërë që ai të mundohet të mbledhë sa më shumë evidenca filmike për të treguar masakrat që serbët kanë kryer mbi popullsinë e Kosovës. Sot ai është 32 vjeçar dhe prej vitesh ka mbledhur video- kaseta. Mbi 2 mijë të tilla.

Në një prononcim për Anadolu Agency, ai thotë se posedon thuajse çdo filmim të mundshëm që lidhet me genocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Duke marrë parasysh që pas përfundimit të luftës që shteti nuk ka bërë asgjë për këto krime, për këtë gjenocid që ka ndodhur në Kosovë, unë pata filluar pas përfundimit të luftës duke shikuar incizime të ndryshme të luftës në Youtube dhe kam kërkuar gjithmonë që të gjej diçka më shumë përveç incizimeve të pakta që i kam parë. Kam filluar të grumbulloj incizime të ndryshme, një kasetë aty – një diku tjetër dhe filloi të më hyjë në gjak kjo punë.

Esati thotë se ende nuk e konsideron të përfunduar punën e tij, derisa të gjejë t’i gjejë të gjitha incizimet e bëra.

“Ata vetë është dashur t’i publikojnë këto incizime dhe të mos vijë puna deri që njerëzit më të mirë dhe më të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të akuzohen për krime lufte. Sepse pas përfundimit të luftës, serbët kanë menduar se ne nuk kemi bërë incizime dhe nuk posedojmë asgjë, apo kemi bërë incizime por na janë djegur ato. Por, ne kemi pasur incizime të rëndësishme me të cilat është dashur të merrej shteti pas lufte, televizionet e Kosovës, të publikoheshin dhe t’i tregohej Serbisë që ne posedojmë incizime të rëndësishme, sekrete të ndryshme të gjenocidit që ata e kanë bërë në Kosovë, e jo sot të krahasohet viktima me kriminelin. Ata janë bërë viktimë ne kriminelë të luftës”, thekson ai.

Esati thotë se së fundmi ka gjetur rreth 500 kaseta me incizime, e disa prej tyre përmbajnë pamje me të vërtetë të rënda.

“Vetëm dje kam grumbulluar diku mbi 500 kaseta, për një ditë. Posedojmë 2 mijë deri 3 mijë kaseta të formatit të ndryshëm të ngjarjeve të paraluftës dhe gjatë luftës, të pasluftës nuk kemi sepse s’ka qenë interes i yni”, thekson Shala, duke shtuar se pret që në Kosovë të hapet Instituti për Krime të Luftës “nëpërmjet të cilit do të mundësohej t’i tregohej botës ajo çfarë ndodhi në Kosovë”.