62 vjeçari e hodhi nga ballkoni, vajza zbuloi dhe denoncoi dhunën që kishte përjetuar nëna e saj

 62 vjeçari e hodhi nga ballkoni, vajza zbuloi dhe denoncoi dhunën që kishte përjetuar nëna e saj

Më 11 mars të këtij viti gruaja me inicialet V.H do të fluturonte nga kati i tretë i ballkonit të shtëpisë, një akt kriminal që ishte kryer nga duart e një 62 vjeçari, bashkëjetuesi i saj.

Të dy jetonin në zonën e Kamzës. Gruaja qëndroi për disa ditë në spital e fillimisht para hetuesve deklaroi se gjithçka kishte qenë aksidentale. Kishte frikë nga 62 vjeçari Dilaver Idrizi, i cili e kishte kërcënuar atë e madje edhe të bijën e saj.

Por frikën e heshtjen e kësaj nëne nuk e pranoi e bija (nga një martesë e mëparshme). V.H qëndroi për disa ditë në spital pa ndenja. Kur ajo u përmend, vajza nisi ta pyesë nënën e cila në një moment i tregoi çfarë kishte ngjarë.

Nëna i rrëfeu se nuk kishte aksident rënia e saj nga kati i tretë i shtëpisë, por një tentativë e mirfilltë vrasje nga bashkëjetuesi i saj 62 vjeçar.

62 vjeçari e kishte rrahur të shoqen me grushte, e kishte hedhur prej ballkonit, e më tutje kishte lajmëruar fqinjët që ta ndihmonin pasi i “kishte rënë” gruaja nga lartësia.

Këtë të enjte autoritetet kanë prangosur 62 vjeçarin, i cili do të përballet me akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.