Babai me të birin 3 vjeçar shuhen, si ndodhi aksidenti tragjik në aksin Milot- Rrëshen

 Babai me të birin 3 vjeçar shuhen, si ndodhi aksidenti tragjik në aksin Milot- Rrëshen

Dy jetë të humbura, babai me të birin vetëm 3 vjeçar. Ky është bilanci tragjik i një aksidenti të ndodhur në rrugën Milot- Rrëshen, atje ku të paktën tre makina u përplasën.

3 vjeçari ka gjetur vdekjen menjëherë pas përplasjes së makinës ‘Opel’ që drejtonte i ati dhe një automjeti ‘Mercedes Benz’. Makina ‘Benz’ ka marrë flakë pas aksidentit.

Babai i tre vjeçarit u transportua në spital së bashku me të shoqen, në gjendje të rëndë shëndetësore, por fatkeqësisht dha frymën e fundit pak orë pas të birit.

Nëna e 3 vjeçarit po ashtu ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, nën kujdesin e mjekëve.

Mbetet ende për t’u zbardhur dinamika e aksidentit, por nga të dhënat paraprake mendohet se një parakalim i gabuar i ‘Benzit’ ka sjellë përplasjen. Gjithsesi një e dhënë e tillë mbetet për t’u konfirmuar nga autoritetet e hetimi i thelluar i shkaqeve të aksidentit.

“Në aksin rrugor Milot -Rrëshen, janë përfshirë në aksident automjeti tip “Benz” me automjetin tip “Opel”. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë një i mitur 3- vjeçar, që udhëtonte me prindërit në mjetin tip “Opel” dhe ka marrë dëmtime është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë drejtuesi i mjetit tip “Benz”. Mjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.”-njoftuan më parë autoritetet.