“Bëjmë skripte vetë” Si po e mësojnë shqipen fëmijët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

 “Bëjmë skripte vetë” Si po e mësojnë shqipen fëmijët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

Preshevë. Drejtori i shkollës fillore “Zenel Hajdini”, Shkuri Ymeri, tregon se vështirësitë për të mësuar shqipen në Serbi nuk janë të vogla. Ymeri punon si drejtor prej një dekade dhe tregon se mësuesit po i bëjnë vetë tekstet shqipe.

“Është shumë e vështirë për mësimdhënësit. Ata kryesisht përkthejnë në gjuhën shqipe nga librat në gjuhën serbe ose bëjnë skripte, të cilat i kopjojnë nxënësit dhe kështu ia dalim ne”, sqaron Ymeri për Radion Evropa e Lirë.

Për dekada me radhë në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës kështu ka funksionuar. Problemi me tekstet në gjuhëm amtare për shqiptarët në Serbi nisi pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur shkollat me shumicë shqiptare atje mbetën pa tekstet shkollore të Institutit të Teksteve në Prishtinë, për shkak të ndërprerjes së relatave ndërinstitucionale.

Më 16 nëntor, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq, tha për agjencinë Fonet se çështja e teksteve në gjuhën shqipe është zgjidhur, në bisedë e bashkëpunim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Arsimit në Serbi në lidhje me detajet e kësaj marrëveshje, por nuk mori asnjë përgjigje (deri në publikimin e lajmit këtë të shtunë)

Gordana Çomiç, Ministrja për të drejtat e njeriut, pakicave e dialogut social në Serbi, tha dy ditë më parë se në takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptare e Ministrisë së Arsimit, u arrit një pajtim për vendosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit. Kjo do të sjellë përshpejtim të procedurave për miratimin e teksteve shkollore (fillore e të mesme) në gjuhën shqipe.

“Është arritur marrëveshja që kjo (miratimi i teksteve) të bëhet deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, kur të publikohet katalogu i teksteve, në mënyrë që ato të jenë gati për nxënësit e gjeneratës së ardhshme”, tha Çomiç.

Shukri Ymeri, drejtor i shkollës fillore në Preshevë, nga ana tjetër tregoi se ka patur një sërë marrëveshjesh, por rezultatet kanë munguar.

“Megjithatë, nuk dua të jem skeptik. Unë e përshëndes këtë marrëveshje dhe mendoj që është koha e fundit që kjo të zgjidhet”, thekson Ymeri.

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, nga ana e tij e konfirmoi për REL se një marrëveshje është arritur me palën serbe. Ai tregoi se 12 komplete të teksteve dhe 7 tekste të veçuara në lëndë të ndryshme do të bëhen nga botues nga Shqipëria.

“Ky vit ka qenë ndër më të suksesshmit për sa i përket sigurimit të teksteve në dy dekadat e fundit, dhe në vitin e ardhshëm mendoj se do ta mbyllim ciklin e teksteve shkollore për shkollat fillore, pra do të ofrojmë së paku një tekst për çdo lëndë”, thotë Mustafi.

Burimi: REL/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët

KËTU e gjeni të plotë artikullin e Radio Evropa e Lirë