“Rusia zgjodhi luftën, tani do përballet me pasojat” Biden sqaron pozicionin dhe sanksionet e SHBA

 “Rusia zgjodhi luftën, tani do përballet me pasojat” Biden sqaron pozicionin dhe sanksionet e SHBA

“Putini është agresori. Putin zgjodhi luftën dhe tani ai dhe i gjithë vendi i tij do të përballen me pasojat”

Kështu deklaroi Presidenti i SHBA-ve Joe Biden në daljen e tij të parë publike pas vendimit të Rusisë për të sulmuar Ukrainën.

Biden deklaroi se masat kundër Rusisë do të jenë tejet të rënda.

“Do të vendosim masa që do të kenë kosto tejet të rënda për ekonominë ruse, duke filluar menjëherë dhe me kalimin e ditëve”,tregoi Biden.

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden deklaroi këtë mbrëmje se forcat amerikane nuk janë dhe nuk do të angazhohen drejtpërdrejt në konfliktin mes Rusisë e Ukrainës.

“Forcat tona nuk po shkojnë në Europë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët e NATO-s dhe për të siguruar aleatët në lindje të Evropës. SHBA-të do të mbrojnë çdo inch të territorit të NATO-s me të gjithë forcën e Shteteve të Bashkuara”-deklaroi Biden.

Mijëra trupa amerikane kanë mbërritur tashmë në vendet baltike dhe në Poloni e Rumani.

Sanksionet që pritet të vendosë SHBA ndaj Rusisë

Presidenti Biden deklaroi se SHBA-të do të vendosin sanksione të forta ndaj Rusisë.

SHBA-të do të bllokojnë aftësinë e Rusisë për të financuar dhe rritur ushtrinë e saj, u shpreh Biden. Presidenti tregoi se sanksionet do të prekin bankat ruse, që së bashku kanë asete në vlerë afro 1 trilion dollar.

Kemi prerë një prej bankave më të mëdha ruse, e cila mban një të tretën e aseteve bankare të vendit”,shpjegoi Biden.

Presidenti i SHBA-ve shtoi se do të bëhet një liste për të sanksionuar dhe elitën ruse dhe familjet e tyre, të cilat në këndvështrimin amerikan janë personalisht përfituese të politikave të Kremlinit deri më tani.

“Ka njerëz që personalisht kanë përfituar nga politikat e Kremlinit… edhe ata do ta ndajnë dhimbjen”

Sipas CNN, 5 ishin pikat kryesore që ngriti Biden:

1.Limitimi i aftësisë së Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund e yen.

2.Ndalimi i aftësisë për të financuar rritjen e forcës ushtarake ruse

3.Goditja në ekonominë e teknologjisë (blerje/shitje/tregti)

4.Goditja e bankave ruse, të cilat së bashku kanë afro 1 trilionë dollarë në asete.

5.Goditja e 4 bankave të mëdha e ngrirja e aseteve të tyre në Amerikë

Në disa media të huaja madje, është folur dhe për mundësinë për të goditur Rusinë me sulme kibernetike.

Siç raportoi ‘The Guardian’, Presidentit Biden i është paraqitur mundësia për të kryer sulme masive kibernetike në Rusi, për të penguar operacionet ushtarake dhe komunikimin.

Dy zyrtarë të inteligjencës amerikane, një zyrtar perëndimor i inteligjencës dhe një person tjetër i informuar për këtë çështje thonë se nuk janë marrë vendime përfundimtare, porse po shihet mundësia për përdorimin e armëve kibernetike, deri tek ndalimi i internetit në të gjithë Rusinë, pengimi i energjisë elektrike nga centralet, etj.