Dita kur oshëtiu qielli… rrëfimi i shqiptarit të Kosovës, që pa familjarët e vrarë nga sulmi serbëve

 Dita kur oshëtiu qielli… rrëfimi i shqiptarit të Kosovës, që pa familjarët e vrarë nga sulmi serbëve

Prill 1999. Xhevat Maksuti në atë kohë ishte 20 vjeç dhe ndodhej afro 1 kilometër larg shtëpisë. Kishte dalë për të kullotur bagëtinë, kur qielli mbi kokën e tij oshëtiu nga avionët e forcave serbe. Shpërthime të fuqishmë ndodhën në Popovë, vendin e tij të lindjes. Xhevati u nis me vrap drejt shtëpisë, duke imagjinuar për më të keqen, por kur pa çfarë kishte ndodhur, imagjinata shpejt iu përplas në realitetin e hidhur.

“Ka qenë një masakër e tmerrshme. Shpërthimin e kam dëgjuar dhe pashë avionët. Unë kisha dalë për të qitë në kullotë bagëtitë. Kur kam ardhur tek shtëpia…50 vetë që kam parë, njëri ishte më keq se tjetri. Të mbuluar me gjak, pa një pjesë të dorës, pa një pjesë të kokës…ishte tepër e tmerrshme, por në atë moment njeriun e zë dhe paniku.”-tregoi për “Shqiptarët për Shqiptarët” Xhevati.

6 nga 11 të vrarët e gjenocidit serb, ishin anëtarë të familjes Maksuti, mes tyre edhe 4 fëmijë që nuk

mundën ti mbijetonin plagëve të marra. Mjaftuan vetëm pak minuta që viktimat fatkeqe të jepnin shpirt

në duart e familjarëve të tyre.

“Ka patur të humbur, familjarë të shumtë. Çika e djalit të mixhës ka qenë afro 13 vjeçe. U humb edhe djali i çikës së tezes, 5 vjeç. Edhe tjetra çikë e djalit të tezes, 9 vjeç. Dhëndri ka qenë 25 vjeç, babai i tij… edhe ai vdiq. Vajza e vëllait tim, 10 muajshe, vdiq”-tregon Xhevati.

Mbi 10 persona nga familja, u plagosën. Disa pak, disa rëndë..

“Motra dy të plagosur, vllaznia po ashtu dy të plagosur. Kunata e plagosur…Vëllai ka qenë i plagosur fort, ishte shkyër e frymëmarrja i dilte veç tëk brinjtët. Unë jam munduar t’i kap e t’i çoj pak më tutje, sadopak. Jam munduar t’i ndaloj gjakun, por në ato momente e kam parë se aty nuk kishim më asgjë”-rrëfen Xhevati.

Ky traktor ka ende të shënjuar plumbat e serbëve që kanë zbrazur armët mbi shqiptarët e pafajshëm. Ditën e masakrës, një pjesë e të plagosurve dhe atyre që shpëtuan gjallë janë larguar nga Popova me këtë traktor.

“Ky traktor që është prapa nesh… me këtë kemi ik prej Popove. Lëviznim nga një vend në një vend, por shkijet nuk ndaluan, na sulmonin. Ishe me fat sepse nuk mujshe dot me shpëtu pa e kapur ndonjë plumb apo copë granate. Paramendoja, sot jemi e mbase nesër ndonjë granatë…”-tregon Xhevati.