Gjejnë thesarin 1.5 mln $ në barkun e një balene

 Gjejnë thesarin 1.5 mln $ në barkun e një balene

Kjo është një histori që tregon, sesi një balenë i ndryshoi krejtësisht jetën një grupi peshkatarësh, në një prej shteteve më të varfra të botës.

Këtu jemi në Jemen, një shtet që po konsumohet nga lufta civile shumëvjeçare. 35 peshkatarë, të gjithë të varfër, iu drejtuan një balene të ngordhur e cila po pluskonte në ujërat jugorë të Jemenit. Një peshkatar i kishte treguar se e kishte parë karkasën, e cila mund të kishte ambergris.

“Një prej peshkatarëve na tha që ka parë një balenë të ngordhur që po pluskonte në det. Na thirri për të parë nëse do të gjenim ambergis. Vendosëm të shkojmë”-tha për BBC njëri prej peshkatarëve.

Ambergris është një lëndë e errët dhe ngjitëse si dyll, që e prodhon një lloj balene e caktuar në sistemin e saj tretës. Por teksa kjo lëndë prodhohet si një agjent ruajtës për sistemin tretës të balenës, në industrinë e kozmetikës ka një vlerë të lartë dhe kërkohet kudo. Veçanërisht tek industria e parfumëve, pasi ambergris ruan aromën.

Kësisoj grupi i peshkatarëve, 35 të tillë, u nisën drejt balenës së ngordhur dhe gjetën thesarin. Balenën e tërhoqën në det dhe pas punës për të mbledhur ambergris-in, sasia e përftuar kapte një shifër prej 1.5 mln dollarësh.

“Kurrë nuk e prisnim që të gjenim një sasi aq të madhe”-tha për BBC një tjetër peshkatar.

Peshkatarët i ndanë barabar paratë dhe një pjesë e konsiderueshme, u vendos t’i jepej familjeve në nevojë, duke qenë se shumica dërrmuese e njerëzve atje vuajnë për ushqim e nevojat bazike të jetesës.

“Shumë para i dërguam në shtëpitë e njerëzve në nevojë, këtu në fshatin tonë”-tha një peshkatar.

Pavarësisht gjetjes së këtij thesari, peshkatarët vijojnë punën e tyre të përditshme në det. Shumë prej tyre mundën të blejnë shtëpi e madje patën mundësi dhe të bëjnë një martesë… por detin nuk e kanë braktisur.

“Kjo ishte si një ëndërr. Pavarësisht, vijojmë të dalim për peshkim në det edhe pse jo përherë gjejmë diçka”-tha një prej peshkatarëve për BBC.