Historia e bariut që shpëtoi 6 persona: Dy burra i pashë shtrirë e s’bëra dot gjë, më vjen keq!

 Historia e bariut që shpëtoi 6 persona: Dy burra i pashë shtrirë e s’bëra dot gjë, më vjen keq!

Të dielën që lamë pas 21 vetë ndërruan jetë në një maratonë në provincën Gansu (Kinë), e cila u kthye në një tragjedi.

Teksa maratona vijonte në një zonë malore, një ndryshim i beftë i motit solli rënien drastike të temperaturave, reshjes së shiut dhe breshërit por edhe erërave të forta. 21 persona ndërruan jetë, ndërsa 151 të tjerë shpëtuan. Shumica e garuesve ishin të veshur me kanatiere e pantallona të shkurtra, por kur temperaturat ranë ndjeshëm dhe breshëri e era shpërthyen, situata u bë serioze.

Nje ekip shpetimi ne zone/ Foto e percjelle nga Reuters

E teksa në të gjithë Kinën diskutohet e debatohet sesi organizuesit e maratonës lejuan vijimin e garës duke mos parashikuar kushtet ekstreme atmosferike, një bari i zonës, mori të gjithë vëmendjen në rrjetet sociale.

Foto Getty Image

Fjala është për këtë njeri të thjeshtë. Quhet Zhu Keming dhe atë ditë po kulloste delet e tij pranë zonës ku po kryhej maratona. Duke njohur mirë terrenin e zonës e me të parë përkeqësimin e shpejtë të motit, ai u strehua në një shpellë të vogël aty pranë. Atje kishte lënë ushqime, ujë e disa materiale, për ndonjë rast emergjent . Nga aty, arrin të dallojë një burrë disa metra larg, i cili po dridhej nga të ftohtit.

Zhu del nga shpella dhe e merr me vete personin në fjalë. I masazhon duart dhe këmbët. Ndez një zjarr dhe i lë rrobat e tij për t’u tharë. Burri i thotë se ka të tjerë persona që ndodhen jashtë. 4 persona të tjerë arrijnë në shpellë teksa shohin dritën e zjarrit dhe i tregojnë bariut se disa njerëz i kanë parë në tokë, pa ndjenja.

Bariu doli sërish jashtë. Duroi të ftohtin, tufanin e breshërin dhe arriti të shpëtojë dhe një person tjetër. E gjeti të shtrirë në tokë. E tërhoqi zvarrë dhe e futi në shpellë, duke e mbuluar me disa batanije që kishte ruajtur atje.

“Dua të them se i jam mirënjohës, më shpëtoi jetën. Pa të do të kisha mbetur atje”-tha një nga të shpëtuarit, Zhang Xiaotao, në rrjetin social kinez Weibo.

Vetë bariu foli me tone përulëse. Siç raporton AFP, ai i tha medias shtetërore në Kinë se ai “është një njeri i thjeshtë që bëri diçka normale”.

Por pavarësisht kësaj përulësie, ky bari u shpreh i keqardhur se nuk mundi të shpëtonte dot më shumë njerëz.

“Kishte njerëz të tjerë jashtë që nuk i shpëtova dot. Pashë dy burra të shtrirë në tokë dhe s’munda të bëj dot asgjë për ata. Më vjen shumë keq”-tha bariu.