Historia prekëse, nëna takon njeriun që për 22 vite mbajti pastër memorialin e vajzës së ndjerë

 Historia prekëse, nëna takon njeriun që për 22 vite mbajti pastër memorialin e vajzës së ndjerë

22 vite më parë Shelbi Smith do të goditej për vdekje nga një makinë. Shoferi ishte i dehur dhe aksidenti i mori jetën. Në vendin ku ndodhi tragjedia, u vendos një memorial për të kujtuar vajzën. Nëna e viktimës nuk jetonte në atë zonë, por sa herë që ajo kalonte atje, e gjente vendin të pastër thuajse përherë.

Pas 22 vitesh, ajo mësoi se memorialin e mbante pastër një oficer policie, një burrë në moshë që punonte në polici prej afro 35 vitesh. Oficeri i policisë takoi për herë të parë nënën e të ndjerës.

“Ishte një moment prekës… isha e mallëngjyer sepse nuk e dija që dikush do të mund ta bënte këtë gjë”-tregoi për CNN nëna e të ndjerës, Sheri.

Oficeri i policisë nuk kishte qenë i pranishëm në ditën e aksidentit, por pak ditë më vonë kishte vërejtur se po vihej një memorial në nder të vajzës. Shkoi dhe bisedoi me personat që po vendosnin memorialin, miq të të ndjerës.

Që nga ajo kohë, polici shkonte të pastronte memorialin dhe të mos e linte të mbulohej nga plehrat apo pluhuri.

“Thjesht vendosa me veten, që të bëja ç’të ishte e mundur që vdekja e Shelbit të mos harrohej. Nisa të mbledh plehrat përreth, të kontrolloja që bari të mos mbulonte memorialin”-tregoi polici.

Oficeri i policisë u regjistrua në video nga një kalimtar, i cili e pa duke pastruar memorialin. Videon kalimtari e postoi në rrjetin social, e pamjet dolën në median lokale (Indianapolis).

Pikërisht prej aty, nëna e të ndjerës, mësoi për identitetin e njeriut të ‘mistershëm’ që mbante pastër memorialin e vajzës.

“Zonja më mori në telefon dhe unë i thashë, mbase nuk do të më besoni por momentalisht ndodhem tek memoriali i Shelbit”,  tregoi polici për telefonatën me Sherin, duke shtuar “zëri i saj nisi të dridhej. Më pas edhe mua m’u dridh zëri, patëm një bisedë mjaft emocionale”