I shpëtoi jetën një gruaje serbe, Zvicra gjobit dhe kërkon deportimin e shqiptarit nga Kosova

 I shpëtoi jetën një gruaje serbe, Zvicra gjobit dhe kërkon deportimin e shqiptarit nga Kosova

Në fund të muajit prill, akti i tij heroik u bë pjesë e artikujve në mediat e Zvicrës. Mexhidi, një i ri nga Kosova, mundi t’i shpëtojë jetën një gruaje, shtëpia e të cilës ishte përfshirë nga flakët. Gruaja ishte serbe me origjinë, një detaj që kur i riu e mësoi, tregoi se edhe po ta dinte përpara, do të bënte të njëjtin veprim.

Por duket se akti heroik i shqiptarit nga Kosova, nuk ka vlejtur shumë në optikën e autoriteteve zviceriane, të cilët kanë këkuar deportimin e të riut pasi ai nuk ka dokumentacion. Më 5 korrik, Mexhidi mori një gjobë prej 4500 frangash zvicerane për akuzën e rezidencës e punës ilegale. I riu e ka apeluar vendimin në gjykatë, por tashmë dosja e tij është dërguar në institucionin e Migracionit në Zvicër. Kësisoj, Mexhidi rrezikon edhe deportimin nga Zvicra.

Gruaja e cila u shpëtua nga i riu ka folur për median vendase atje, duke thënë se “ligji është njëlloj për të gjithë, por më duket skandaloze që një hero që shpëtoi një jetë, të deportohet nga vendi”

Siç raporton 20min.ch, gruaja serbe vuri në dukje se pavarësisht se Mexhidi e dinte rrezikun e zbulimit të tij nga autoritetet, ai sërish ndërhyri duke ia shpëtuar jetën. “Zvicra është e pamëshirshme” ka thënë gruaja e cila tregoi se do të bëjë çfarë të mundet për ta ndihmuar personin që i shpëtoi jetën.

Situata ndërkohë po hetohet nga autoritetet. Siç vuri në dukje departamenti i migracionit, kur konstatohet një rast i qëndrimit ilegal, kërkohet me ligj hetimi i rastit. Nëse bëhet një aplikim për dokumenta dhe kushtet plotësohen, atëherë aplikuesi mund të qëndrojë.

Siç shkruan 20min.ch, situata duket e pashpresë, vetëm nëse politika ndërhyn për rastin. Precedentë ka mjaftueshëm, ndërsa gazeta sjell në vëmendje rastin e dy emigrantëve në Francë të cilët ia shpëtuan jetën një fëmijë të vogël. Mbi atë akt heroik, atyre iu dha e drejta e qëndrimit (natyralizim) nga vetë Presidenti Macron.