“Ik shpëto veten, më lër mua të vdes” Historia e dy burrave që u bënë miq në burgun e Spaçit

 “Ik shpëto veten, më lër mua të vdes” Historia e dy burrave që u bënë miq në burgun e Spaçit

Manol Qirici dhe Stavro Guxo i kaluan ditët e tyre nëpër burgjet e regjimit komunist, por më dhjetor të vitit 1977, ata do të ndërmerrnin një tentavë arratisje, që shumë pak persona e çonin ndërmend.

Manoli vinte nga një familje përmetare me bindje balliste dhe me babanë të pushkatuar, ndërsa Stavro ishte mësues dhe minoritar grek nga Derviçani i Gjirokastrës.

Pavarësisht diferencave të tyre, të dy u bënë shokë të ngushtë gjatë kohës që qëndronin në burgun e Spaçit. Kjo është historia e dy burrave që nuk e braktisën shoqërinë me njëri- tjetrin, pavarësisht kalvarit të vuajtjeve dhe dënimeve drakoniane.

Manol Qirici u arrestua më 1976 në fshatin e lindjes. Pasi ishte shpallur arrestimi i tij, disa gra komuniste ia kishin marrë këngës. Kishte madje edhe njerëz të të njëjtit mbiemër me të, që thonin se Manoli kishte sharë Enver Hoxhën dhe duhej dënuar.

Pasi qëndroi për 9 muaj në hetuesi, Manol Qirici u dënua me 10 vite burg dhe u dërgua në Spaç.

Po atë vit, më ’76, Stavro Guxo u arrestua pas tentativës për t’u “arratisur” nga Shqipëria. U dënua me 18 vite burg, ndërsa ky ishte vendimi i dytë pasi më parë në ’73, regjimi e kishte gjetur ‘fajtor’ për agjitacion e propagandë.

Të dy burrat u bënë miq në burgun e Spaçit, atje ku puna në minierë ishte me normë dhe të drejtat e njeriut inekzistente. Por më e shumta që i bashkonte të dy, ishte ideja për t’u arratisur sa më parë nga vuajtjet që sillte burgu famëkeq. Por arratisjet nga burgu i Spaçit ishin kthyer në një mision thuajse të pamundur pas reviltave të vitit ’73 dhe tentativave të shumta të dështuara, të cilat përktheheshin në vrasje ose burgosje edhe më të rënda të atyre që guxonin.

Pavarësisht, Manoli e Stavro guxuan dhe në një ditë dimri në dhjetor të vitit ’77, të dy arritën të kapërcejnë të gjitha rrethimet e kampit. Ngjarjen e asaj dite e ka sjellë në kujtesë djali i Manolit, Anastasi.

“Babai im Manol Qirici bashkë me shokun e tij Stavro Guxo u arratisën nga burgu i Spaçit. Ka qenë një dimër i ashpër atë vit, por si u arratisën nga burgu, filloi një borë e madhe. Policia dhe ushtria ishin në kërkim, e gjithë Shqipëria më këmbë. Po kalonin ditë e nuk po kapeshin. Ishte dita e 13-të që ishin arratisur. Kishin arritur afër Kukësit, babait tim i pëlcet stomaku dhe i thotë Stavros: “Ik, më lër të vdes! Ik shpëto ti të paktën, mos bjer në dorë të këtyre kriminelëve!”. Por Stavroja nuk e la dhe e mori në krahë, doli në rrugë automobilistike dhe u dorëzua te makina e parë e policisë që erdhi në drejtim të tyre”.-thotë në rrëfimin e tij për Kujto.al, Anastasi.

“Kështu i marrin e i torturojnë. I çojnë në Tiranë ku babain e operojnë nga stomaku dhe për fat, del mirë se në përgjithësi me të burgosurit bënin praktikën studentët e mjekësisë. Dhe më vonë pasi u bë mirë, e nxjerrin në gjyq në qytetin e Rrëshenit, ku dënohet me pushkatim, por e kthejnë dënimin në 25 vjet heqje lirie, plus 10 vjet nga Gjykata e Përmetit, 35 vjet. Si përfundim, 25 vjet heqje lirie. E çuan në burgun e Burrelit të kryente dënimin. Aty ka kryer dënimin vite me radhë deri sa u lirua nga burgu në 10 shkurt të vitit 1991. Kthehet në vendlindje në Mbrezhan dhe ikën në Greqi më familjen e tij”-shton Anastasi.

Stavro Guxo dënohet po ashtu me 25 vite. Dhe qëndron në burg derisa erdhi koha për t’u liruar me ardhjen demokracisë.

“Babai im pasi doli nga burgu iku në Greqi dhe jetonte me gruan, dy djemtë dhe vajzën e tij në qytetin Agrinio të Greqisë. Manoli u interesua të mësonte ku ishte shoku i tij Stavro Guxo dhe mësuam se jetonte në qytetin e Greqisë, Arta. Ai ishte martuar me një profesoreshë greke e cila punonte në universitetin e Janinës. Me Stavro Guxon u takuam dy herë në qytetin e Artës, ku unë kam shkuar vetë me babain tim. Nuk u takuam më se babai im Manoli pësoi aksident automobilistik më motor dhe vdiq në nëntor të vitit 1992. Kurse unë e takova dhe dy herë të tjera në qytetin e Gjirokastrës. Kam mësuar se ka ndërruar jetë në vitin 2016 në mos gaboj dhe prehet në fshatin e lindjes, Derviçan të Gjirokastrës”,-thotë Anastasi.