Ish- oficeri Derek Chauvin shpallet fajtor për vdekjen e George Floyd

 Ish- oficeri Derek Chauvin shpallet fajtor për vdekjen e George Floyd

Gjykata ka shpallur fajtor ish oficerin e policisë së Mineapolis Derek Chauvin, për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd.

Mbi 9 minuta qëndroi oficeri me gjurin e tij në fytin e të ndjerit, duke sjellë protesta masive në të gjithë Amerikën e mbarë botën për mënyrën sesi uniformat blu në SHBA trajtojnë njerëzit me ngjyrë.

Juria e gjykatës në Mineapolis, e përbërë nga 12 anëtarë, e shpalli fajtor për të trija akuzat ish oficerin 45 vjeçar Chauvin, i cili me gjasë do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës së tij në qelitë e burgut.

Ish- oficeri u shpall fajtor për akuzën e vrasjes së shkallës së dytë (40 vite), vrasje të shkallës së tretë (25 vjet) dhe akuzën e vrasjes pa paramendin (manslaughter /10 vite)

E teksa gjyqtari lexonte verdiktin, Chauvin nuk bëri asnjë reagim ndaj vendimit të marrë. Më pas ai u largua në pranga në një godinë në Stillwater (Minnesota), rreth 25 milje në lindje të Minneapolis.

Ndërkohë në rrugët e qytetit mijëra njerëz u mblodhën dhe shpërthyen në lot gëzimi pasi mësuan për verdiktin e gjykatës, raporton CNN

Familja e të ndjerit dha një konferencë për shtyp pas vendimit të gjykatës. Vëllai i George Floyd, Philonise, u shpreh se “Ndihem i lehtësuar sot dhe më në fund, kam mundësinë të marr një sy gjumë. Për shumë ditë u luta dhe shpresova”