Ish- Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në Gjermani, në moshën 56 vjeçare

 Ish- Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në Gjermani, në moshën 56 vjeçare

Ish-Presidenti Bujar Nishani, ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të shtune, pas qëndrimit prej një muaji në një spital në Gjermani.

Shëndeti i ish Presidentit u përkeqësua pas infektimit të tij me Covid, afro dy muaj më parë. Nishani vuante nga një sëmundje autoimune dhe nuk mundi t’i tejkalojë pasojat që la sëmundja e Covid. Nishani u paraqit dy muaj më parë me shenja pneumonie (në të dyja mushkëritë) në Sanatorium si pasojë e Covid. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, e kësisoj ai u nis për mjekim drejt Gjermanisë.

Ish Presidenti ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare.

Jetëshkrim

Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Nga marsi 2007–shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit. Në 24 korrik 2012, Nishani u betua në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.