“Ishte shkëmb këtu, e hapi me duart e veta” Historia e 87 vjeçarit shqiptar, një bamirës i vërtetë

 “Ishte shkëmb këtu, e hapi me duart e veta” Historia e 87 vjeçarit shqiptar, një bamirës i vërtetë

Ky burim uji është ndërtuar e rindërtuar tre herë, duke filluar nga vitet ’70. Quhet kroi i Hixës dhe është bërë nga duart e një njeriu.

Sot ky burrë është 87 vjeç dhe vijon ende të ndihmojë komunitetin e tij. Atë që nuk e bën një shtet, e bën i vetëm Qazim Kurti, banor i Bubqit. Fqinji i tij Osmani, tregon për median se Qazimi e ka hapur me krahët e tij zonën për të bërë kroin.

“Këtë krua e ka bërë Qazim Kuri me forcat e veta, është punëtor i madh, burrë i vjetër s’rri njëherë. Edhe varrezat ai i ka rregulluar. Edhe kroin e Hixës ky e ka hap me krahë me forcat e veta e ka hapur. Ka qenë mal krejt. Është vetëm ky burim në fshat të gjithë vijnë mbushin këtu se fshati nuk ka ujë.”

Vetë Qazimi thotë se ka punuar me shpirt, për njerëzit.

“I kam bërë në mënyrë humane, me gjithë shpirt. E kam bërë për miletin e jo për vete. Kam hapur dy burime. Analizat e këtij burimi i kam bërë vetë dhe është ujë i pijshëm.”-thotë i moshuari.

Por veç ujit, Qazimi ka investuar edhe në varrezat e fshatit dhe ndriçimin.

“Varrezat e fshatit i kam rrethuar. Nja 5-6 vjet me ristela, se vetë jam marë me dru gjithmonë. Por ristelat u kalbën dhe pastaj vendosa t’i bëj me hekur e beton. Vumë dhe një derë dhe ndriçimin të gjithë. Janë 28 drita, 28 shtylla dhe ndriçimi ndizet e fiket me aparat. I jam drejtuar shtetit, me procesverbal e tani këto janë të shtetit, ia kam fal atyre”

E veç bujarisë së të moshuarit, edhe fëmijët e tij i janë gjendur pranë sa herë ai ka patur nevojë për suport financiar në punët e tij për komunitetin.