Kavajë, një fëmijë shpëtohet nga mbytja në plazhin e Spillesë

 Kavajë, një fëmijë shpëtohet nga mbytja në plazhin e Spillesë

Një fëmijë 10 vjeçar është shpëtuar nga mbytja këtë të shtunë. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Spillesë në Kavajë dhe është një rast që tregon edhe njëherë rëndësinë e madhe që ka nevoja e vrojtuesve të plazhit.

Ishte pikërisht ky i fundit së bashku me disa oficerë policie që pikasën të parët fëmijën, i cili ishte në vështirësi dhe kishte pirë ujë. Roja bregdetare së bashku me oficerët kanë mundur ta nxjerrin nga deti të miturin, duke i shpëtuar jetën.

“Policia Kufitare dhe vrojtuesi i plazhit shpëtojnë një 10-vjeçar që rrezikonte mbytjen.

Rreth orës 16:00, në plazhin Spille, Kavajë, nga shërbimet e Policisë Kufitare Spille dhe vrojtuesi i plazhit iu dha ndihma e parë një 10-vjeçari, pushues në plazhin Spille, pasi rrezikonte të mbytej.

Shërbimet e Policisë Kufitare që ishin në patrullim  në bashkëpunim me vrojtuesin e plazhit kanë konstatuar, në momentet e para, 10-vjeçarin që kishte pirë shumë ujë dhe si pasojë e rrezikut për mbytje menjëherë i kanë ardhur në ndihmë.

Fëmija 10 vjeçar është transportuar në Spitalin Rajonal Kavajë, dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”-njoftuan autoritetet.