“Kthehu te vendi yt i derrave” Komentet raciste të oficerit ndaj një shqiptari sjellin debate në Gjermani

 “Kthehu te vendi yt i derrave” Komentet raciste të oficerit ndaj një shqiptari sjellin debate në Gjermani

Është një video vetëm disa sekondëshe, e cila kap momentet e një përplasje verbale mes një qytetari e një oficeri policie në Gjermani.

“Hiqe atë m** celulari andej”- i thotë oficeri qytetarit e më tutje bën një koment racist “Shko kthehu në vendin tënd të derrave”.

Video ka sjellë mjaft debate në rrjetet sociale, por siç shpjegon media gjermane hessenschau.de, pamjet janë në fakt të regjistruara më shumë se dy vite më parë në Giessen.

Përpos ‘vjetërsisë’ së videos, pamjet janë shpërndarë së fundmi me shpejtësi në Tik Tok, nga ku ka patur debate e diskutime për gjuhën e përdorur nga oficeri i policisë.

Vetë autoritetet e kanë konfirmuar se video është reale dhe se oficeri që dëgjohet teksa bën komente raciste është një 34 vjeçar që punon ende në policinë e Giessen.

Aktualisht autoritetet kanë nisur hetimet dhe nga ajo që bën me dije media gjermane, oficeri i policisë është përballur me një shtetas i cili “dyshohej se ishte problematik”. Siç shpjegon më tutje media gjermane, aktualisht shtetasi nga Shqipëria është larguar prej Gjermanisë.

Shefi i policisë së Giessen doli me një deklaratë për shtyp, duke dënuar gjuhën raciste të oficerit të policisë.

“Të tilla deklarata raciste në drejtim të një qytetari janë të papranueshme, pavarësisht situatës dhe asaj çka mund të ndodhë. Nuk ka situatë, sado frustruese të jetë, që të mund të sjellë një sjellje të tillë nga ana e një oficeri”-thuhej në deklaratë.