Kur ushqimi merrej me triskë, rrëfim për një epokë të shkuar të Shqipërisë

 Kur ushqimi merrej me triskë, rrëfim për një epokë të shkuar të Shqipërisë

Nëse sot do të kishit një milionë dollarë, do të mund t’i shpenzonit brenda minutit të tëra paratë, por jo në epokën e Shqipërisë komuniste. Atëherë kur edhe ushqimi ishte aq i pakët, saqë shpërndahej me racione. Përgjatë dekadave të regjimit, familjet e thjeshta shqiptare kishin një të përbashkët, triskat e me vonë tollonin.

Më poshtë gjeni rrëfimin e Orhan Sakiqit, i cili ka përcjellë në libër kohën e triskave, kohë në të cilën shteti kishte në dorë sa bukë mund të haje.

Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, triskë është një fletë e vogël e ndarë në lata, ku shënohet sasia e ushqimeve, e druve e qymyrit, e artikujve të veshmbathjes etj., që mund të marrë njeriu apo familja (në sistemin e shpërndarjes në formë të caktuar). Por triskë është edhe një dokument për anëtarësim ose lidhje me një detyrë si triske fronti, triskë rinie, triskë partie.

Fjala triskë, brezit tonë, nuk i është ndarë gjithë jetën, shoqërues i përhershëm. Me të në dorë paraqiteshim çdo ditë te dyqani i bukës, një herë në dy javë te dyqani i ushqimeve, një herë në muaj në fushën e druve, diçka më rrallë te ai i veshmbathjes. Pastaj qumështi që ishte një histori më vete. Më të rëndësishme ishin sigurisht triskat e bukës. Çdo anëtar i familjes kishte një të tillë që e merrte kryefamiljari në qendrën e tij të punës. Triskat e bukës ishin ndarë në kategori; fëmijët dhe të moshuarit 400 gr dhe quhej ordinere, nëpunësit 600 gr dhe quhej e mesme, punëtorët 800 gr dhe quhej triskë e rëndë. E lehtë, e mesme, e sikur të ishin pesha për boksierë. Por mirë e kishin menduar, ajo jetë ngjante me një ring boksi, vetëm me një ndryshim, se boksi vazhdonte 9 minuta, tre raunde nga tre minuta, kurse triskat aq sa minuta ka viti dhe vitet.

Triska e bukës ishte një fletë me përmasa 7×7 cm, ku sipër shënohej emri dhe poshtë ishin datat e muajit qe quheshin lata. Çdo latë kishte një ditë. Shitësja e bukës priste latën me gërshëre dhe e ngjiste në një fletë më të madhe, sipas kategorisë që i kushtonte kohë dhe shkaktonte shtimin e radhës. Buka ishte e zezë dhe e fortë që mezi Shumë herë zëvendësohej me misër, që ngjante si një pllakë tallashi. Për të sëmurët, shumica me TBC, kishte një ‘favor’ buka e grurit nuk zëvendësohej me misrin.

Triska kishin të drejtë të merrnin vetëm ata që ishin në punë shteti. Po të hoqën nga puna, mbete pa triska, mbete pa bukë. Buka ishte apoteoza, ishte riti. Regjimi kishte në dorë bukën, pra, kishte jetën. Të merrte e të hidhte në fermë si punëtor, pavarësisht se ti ishe agronom, të hidhte në një qytet tjetër pa pyetur se kishe rrënjë aty ku ishe, të hidhte në kantier si punëtor, pavarësisht se ishe inxhinier, te hidhte ku të donte, ti do t’i shkoje nga prapa. Rrugë tjetër nuk kishte, ndryshe quheshe parazit.

Ishte edhe triska e qumështit. Jepej për fëmijë dhe per të sëmurë. Qumështi shpërndahej vetëm në një dyqan për gjithë Tiranën.. Radhë për burrat mbahej për nje dhe fillonte nga Teatri Popullor (sot Kombëtar) gati 150 m reshtuar për një. Nga ana tjetër ishin gratë, kurse në mes hynin pa radhë familjet e dëshmorëve. Në radhe shumica ishim fëmijë, që detyroheshim të rrinim me ore për 1kg qumësht.

Radhë, radhë, radhë, refren i përditshëm i jetës, siç shkruan kolegu im, Kolevica.

Dyqani i bukës i lagjes sonë ishte në Rrugën e Kavajës, pranë Ministrisë së Punës sot. Shkonim me shokun tim Besnikun drejt dyqanit, kur na grishën disa shokë për të luajtur në fushën e Shallvares. Mbas loje u drejtuam drejt dyqanit, por Besniku nuk po gjente triskat. Kërkuam në pantallona e triko që i kishim vënë si porta, por ato ishin zhdukur. Ku të shkonim. Besniku, një djalë i gjatë e i hollë, me ballë të gjerë, rreth 12 vjeç, u zverdh tëri. Qukat që kishte në fytyrë i kuqëlonin më shumë.

Çfarë do t’i them tani babës?! Për fat ishte fund muaji, që kishte pak lata të mbetura. U mblodhëm shokët e me lejen e prindërve i dhamë nga një latë për familje. Shkuam të gjithe te shtëpia e tij, buzë Lanës së vjetër dhe i shpjeguam babait të Besnikut si ishte puna. Mbasi bisedoi me prindërit tanë u bind. Ishte besimtar. Zoti ju bekoftë, – na tha.

Fëmijë që u rritëm në radhë, fëmijë që u rritëm me triska. Por nuk mjaftonin triskat e nevojave të përditshme. Kishte edhe triska të tjera ideologjike si e Frontit, e Rinisë dhe e Partisë. Triska e Frontit NÇI, e dalë nga Konferenca e Pezës, që predikonte bashkimin e popullit, nuk u jepej të gjithëve. Atë e jepte këshilli i lagjes. Ke qenë tregtar, nuk e merr; ke qenë në burg, jo e jo. Mirëpo triskat ishin të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. A e ke triskën e Frontit? – Jo. Atëherë të pret vetëm puna e krahut, ndryshe nuk merr triskat e ushqimit. Pastaj duke u rritur vinte triska e Rinisë. Familja që nuk kishte triskën e Frontit, nuk merr atë të Rinisë.

Xhorxh Oruell te libri “Ferma e Kafshëve” thotë: “Te gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.” Këta më të barabartët sundonin në emër të barazisë, që për këtë barazi nga fillimi i viteve ’80 triskati zëvendësuan me tollona.

Shkëputur nga libri “Kronikë e jetëve të humbura”, me autor Orhan Sakiqi