Lirohet nga paraburgimi një prej të dyshuarve për tragjedinë në Gllogjan

 Lirohet nga paraburgimi një prej të dyshuarve për tragjedinë në Gllogjan

Është liruar nga paraburgimi njëri nga tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit, në nëntor të vitit 2021 . Atij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, vendim i marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Ndërkohë dy të dyshuarve të tjerë do t’i vijojë paraburgimi edhe për 60 ditë, detaj i konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Tre të arrestuarit janë familjarë mes tyre (babai me dy djemtë). Personi që do të vazhdojë arrestin shtëpiak është M. M ndërsa babai dhe vëllai i tij do të vazhdojnë paraburgimin.

Më 12 dhjetor, autoritetet arrestuan H.M. dhe dy djemtë e tij, K. dhe M. M. nga Gllogjani. Të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona humbën jetën nga të shtënat me breshëri drejt një autobusi. Viktimë mbeti shoferi dhe dy nxënës.