Momenti dramatik, futbollisti humb vetëdijen në fushë… jetën ia shpëton kapiteni

 Momenti dramatik, futbollisti humb vetëdijen në fushë… jetën ia shpëton kapiteni

Një ndërhyrje vendimtare e shokut të tij të skuadrës, me gjasë i shpëtoi jetën. Një moment me të vërtetë dramatik u regjistrua në ndeshjen mes hungarezëve të Fehrevarit e azerëve të Gabalës, atje ku një futbollist u rrëzua në fushë e humbi ndjenjat.

Ishte minuta e 33-të, kur Hiester duke vrapuar në anë të fushës, përplaset me Ilkin Qirtimov. Ky i fundit rrëzohet në tokë dhe gëlltit gjuhën. Kapiteni i skuadrës, Asif Mamadov shkoi menjëherë tek shoku I skuadrës, duke mundur t’i tërheqë gjuhën e kësisoj ta shpëtojë nga rreziku.

Gjithçka shkoi mirë kur më pas erdhi dhe ndihma e parë e mjekëve. Gjesti i kapitenit të ekipit azer ishte i ngjashëm me atë të disa muajve më parë në Kampionatin Europian, ku ish mesfushori i Interit Kristian Eriksen pësoi një atak kardiak, ndërsa kapiteni danze Kjaer vrapoi për t’i ardhur në ndihmë shokut të skuadrës.