Në SHBA hyri me not nga Meksika! Historia e shqiptarit që hapi shkollë shqipe deri në Alaskë

 Në SHBA hyri me not nga Meksika! Historia e shqiptarit që hapi shkollë shqipe deri në Alaskë

Ylber Ferati është shqiptar i Strugës dhe historia e tij e jetës është ndryshe nga shumë të tjera. Që në moshë të re (gusht 1985), ai vendosi të largohet nga Jugosllavia drejt emigrimit. Më shumë peripeci arriti të shkojë në Meksikë, pasi nuk kishte vizë për të hyrë në SHBA. Qëllimi e ëndrra e tij ishte të shkonte në SHBA, e kësisoj nga Meksika shkoi me not atje, në mënyrë klandestine.

“Ja kjo është më tha ai meksikani që më dërgoi pranë një lumi atje. Unë jam nga Struga, e kësisoj në SHBA kam shkuar me not. Mu desh të notoja disa minuta dhe arrita, por uji atje ishte i turbulluar. Qëlloi që kalova në momentin kur po ndërroheshin rojet”-tregoi Ferati, i cili shpjegon se më tutje u nis drejt disa familjarëve të tij në New Jersey.

“5 vetë ishim, dy dibranë e tre strugarë. Rruga na mori 5 orë derisa mbërritëm në Dallas. Atje na zuri patrulla e na çuan sërish në kufi. Qëndruam 37 ditë në kamp, derisa dajo im dha disa para (liri me kusht) për të na liruar”-shtoi Ferati.

Ferati qëndroi për disa kohë në New Jersey e më pas vendosi të shpërngulet në ekstremin verior të SHBA-ve, në Alaskën e ftohtë. Me ndihmën e të atit, ai arriti të hapë dhe një shkollë të vogël për mësimin e gjuhës shqipe, që para viteve ’90.

“Këtu është një komunitet shumë i madh dhe ishin më shumë se 30 nxënës, shqiptarë. Babain e kam pasur mësues, ndër më të vjetrit në Strugë. Me të gjithë familjen iu përkushtuam kombit. Kemi jetuar në një shoqëri ku jemi diskriminuar, nuk kishim të drejtën e shkollës, flamurit, as libra… u rritëm në atë frymë. Unë erdha këtu në moshën 25 vjeçare, e kisha këtë ndjenjë e më vinte keq që të lija fëmijët pa mësuar gjuhën shqipe.“-tregoi Ferati në një intervistë për abcnews.

Por tanimë shkolla atje nuk është më funksionale e prej disa kohësh, Ylberi i ka hyrë sipërmarrjes duke hapur një restorant, i cili është i famshëm në Alaskë.

Foto nga Wikipedia/ Me te kuqe i shenjuar shteti i Alaskes