Në varfëri të madhe! Brenda fshatit ku njerëzit zgjedhin të shesin veshkat e tyre

 Në varfëri të madhe! Brenda fshatit ku njerëzit zgjedhin të shesin veshkat e tyre

Photo credit: CNN

Hokse. Kështu quhet fshati ku dhjetëra e qindra njerëz, jetojnë vetëm me një veshkë. Fshati gjendet në një prej vendeve më të varfra të globit, në Nepal.

Këtu njerëzit lindin në skamje e largohen po njëlloj, në varfëri të madhe. Shumë prej banorëve, për të mbajtur me ushqim familjen, zgjodhën vite më parë të shesin veshkën, me shpresën se me paratë do të mund të blinin një copë tokë për të punuar e mbajtur me ushqim veten e familjen.

Por kjo sakrificë e madhe, nisi të tërheqë vëmendjen e botës së krimit, trafikantëve. Pavarësisht se shitja e veshkës u bë e paligjshme, në tregun e zi lulëzonte kërkesa e oferta për të dhënë shuma të majme parash në këmbim të veshkave. Sakrifica, u kthye në një dramë që e bëri të njohur këtë vend, si “Fshati i veshkave”.

Ndër vite, dhjetëra media e kanë vizituar këtë vend, për të treguar dramën (shiko videon në fund të artikullit) me të cilën përballen këta njerëz. Kur shkon atje, shikon se të paktën në një familje, është një njeri me shenjën e operimit në trup, pa njërën veshkë.

Në Hokse gjen edhe një dimension të errët. Njerëz që gënjehen e mashtrohen nga trafikantët, të ciët i thonë atyre që janë të gatshëm të heqin njërën veshkë, që të mos mërziten, pasi me kalimin e kohës, veshka e tyre do të rigjenerohet e dalë sërish.

Burra e gra që kërkojnë sakrificën për të shpëtuar nga uria familjen e madje edhe të rinj që kanë ëndërr të largohen nga realiteti i hidhur i varfërisë që i rrethon, kanë rënë pre e mashtrimeve e gënjeshtrave.

Shpesh herë ndodh që trafikantët t’i mashtrojnë, duke u thënë se do të përfitojnë mijëra dollarë për veshkën e shitur, por në realitet, këta njerëz në shumë raste marrin veçse pak qindra dollarë.

Në 2007 qeveria e bëri të paligjshme dhënien e veshkave në këmbim të parave, por një lëvizje e tillë i hapi rrugën trafikut. Sipas të dhënave atje, mbi 10 mijë procedura të tilla ndodhin çdo vit.

E në tregun e zi, një veshkë mund të kushtojë nga 30 mijë deri në 70 mijë dollarë… por ajo që marrin këta njerëz të varfër as që nuk llogaritet.

Si rasti i kësaj nëne me 4 fëmijë. Ajo shiti veshkën për të ushqyer fëmijët dhe mori 1500 dollarë.

Credit: CNN

Edhe pse njeriu mund të jetojë me një veshkë, është e domosdoshme që pas ndërhyrjes të kryejë vizita të rregullta mjekësore. Por për këta njerëz të varfër, një mundësi e tillë është thjesht e pamundur.