“Një mrekulli” E moshuara zgjohet nga koma ditën që do t’i fikeshin aparaturat që e mbanin në jetë

 “Një mrekulli” E moshuara zgjohet nga koma ditën që do t’i fikeshin aparaturat që e mbanin në jetë

Bettina Lerman prej javësh qëndronte në spital. 69 vjeçarja vuante nga diabeti dhe zemra. Kur u infektua me Covid, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe mjekët u detyruan ta intubojnë për t’i dhënë shansin e shpëtimit të jetës.

Për më shumë se një muaj, Beti qëndronte në koma. Fëmijët e të moshuarës ishin mbledhur për të diskutuar se çfarë do të bënin. Mjekët kishin dhënë pak shpresa.

“U mblodhëm familjarisht, nëna nuk po zgjohej. Çfarëdo që bënin doktorët, nëna nuk zgjohej nga koma. Mjekët na thanë se mushkëritë e saj ishin shkatërruar plotësisht dhe se dëmi ishte i pakthyeshëm”-kujton i biri i të moshuarës për CNN.

Familja kishte nisur përgatitjet për të kryer funeralin e gruas, e pashpresë se do të ndryshonte diçka. Në ditën që i biri do të jepte lejen për të fikur aparaturat që e mbanin gjallë të ëmën, merr një telefonatë nga doktori i spitalit.

“Doktori më mori në telefon… e pyeta mos ka diçka që nuk shkon. Më tha ‘jo, nëna juaj sapo u zgjua nga koma”-tregon Endrju.

Të shokuar nga lajmi, familjarët shkojnë në spital dhe nuk u besojnë syve.

“Mami është besimtare dhe njëlloj janë dhe shumë miq të saj. Të gjithë janë lutur për të. Mjekët nuk arrijnë ta shpjegojnë nga ana mjekësore sesi ndodhi. Mbase mund të shpjegohet përmes besimit. Unë nuk jam ndonjë besimtar i madh, por kam nisur të besoj se me të vërtetë, nënën e ndihmoi dikush, diçka… nuk di të them”-tregoi djali i të moshuarës.

Djali i të moshuarës tregoi se arriti të flasë për një kohë të gjatë me nënën, e cila mund të lëvizë dhe arrin të marrë frymë vetë.

“Nëna e di kush është dhe ku është, është e kthjellët… përgjithësisht kur dikush del nga koma nuk është kështu, më treguan se kur del nga ajo gjendje je shumë konfuz, por nëna ishte mirë”-tregoi burri.

Burimi: CNN

Për të parë videon, klikoni këtu