“Nuk kemi parë një katastrofë të tillë” Pamjet e përmbytjeve masive në Gjermani

 “Nuk kemi parë një katastrofë të tillë” Pamjet e përmbytjeve masive në Gjermani

“Ka njerëz të vdekur, njerëz që ende nuk janë gjetur dhe të tjerë që janë ende në rrezik. Kurrë nuk kemi parë një katastrofë të tillë. Është me të vërtetë shkatërruese”

Kështu shprehet Malu Dreyer, drejtuesja e zonës së Rin- Palatinatit (Rhineland-Palatinate) në Gjermaninë perëndimore, një zonë e cila së bashku me Renaninë veriore-Vestfali, është përfshirë nga përmbytjet masive.

Deri më tani të paktën 20 viktima janë konfirmuar ndërsa dhjetëra të tjerë kanë humbur. Shumë prej qytetarëve kanë gjetur shpëtim duke u ngjitur nëpër çatitë e shtëpive, raporton The Guardian.

https://www.youtube.com/watch?v=B_BeBTE8inA

Ndërkohë një zëdhënës i policisë së Koblenz-it (Rhineland-Palatinate), tregoi për Reuters se ende nuk dihet numri i njerëzve që kanë mbetur nëpër çati e duhen shpëtuar.

“Në shumë vende brigadat e punëtorët e shpëtimit janë duke punuar. Ende nuk kemi një panoramë të saktë të njerëzve që kanë nevojë të shpëtohen”-tha ai.

Si pasojë re reshjeve masive ka patur dhe rrëshqitje dherash e fryrje të lumenjve, duke sjellë në disa zona dhe pamje të tilla përmbytjesh, të kapura nga qytetarët, ku makinat merren përpara nga uji.

Shumë prej fshatrave ishin të paarritshëm për shkak të këtyre përmbytjeve, të cilat i bënë rrugët të pakalueshme.

Deutsche Welle po ashtu raporton mbi ngjarjen dhe përmbytjet e mëdha në Gjermani. Në zonën e veriore të Rin- Vestfalisë kishte rezidentë që kishin parë t’u mbytej shtëpia brenda natës. Reporterja që shkoi atje njoftoi “Fola me banorët këtu, të cilët u shpëtuan me varka në orët e para të mëngjesit. Uji ka përmbytur të gjithë katin e parë të banesave. Shumë njerëz i frikësohen idesë se nuk do të kenë shtëpi ku të jetojnë për muaj në vijim”