Përcillet për në banesën e fundit Jonada

 Përcillet për në banesën e fundit Jonada

Rrethuar nga dhjetëra zemra që lotojnë, është përcjellë në orës e drekës për në banesën e fundit Jonada e vogël.

Dhimbje e papërshkrueshme për nënën e babain, që sot dërguan arkmortin drejt varrezave. Të shumtë dhe qytetarët e pranishëm gjatë përcjelljes së arkmortit drejt varrezave të Tufinës.

Fjalët e babait të 7 vjeçares së ndjerë

Pedagogu Bislim Ahmetaj ka treguar përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social, bisedën që ka patur me babain e 7 vjeçares së ndjerë.

Babai i Jonadës mundohet ta mbajë veten, por shpirti po i del nga kraharori.

“Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua…. Vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada’, janë fjalët që ka thënë babai i të ndjerës në bisedë me Ahmetajn.

Po sjellim të plotë, postimin e Ahmetajt në rrjetin social.

“Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës.

Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.

Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort , mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.

Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s’ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre.

Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…

Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua.

Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë.

Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.

E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm.

Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet.”

“Nuk gjej fjalë, neve na iku fëmija” Flasin disa nga familjarët e 7 vjeçares së ndjerë

Të pakta i kanë fjalët të njohurit e familjarët e familjes Avdia, e cila humbi vajzën 7 vjeçe ditën e djeshme në plazhin e Potamit.

Dyert e mortit janë hapur, ndërsa këtë të mërkurë vogëlushja përcillet për në banesën e fundit. Të shumtë janë miq e të afërm që kanë shkuar për ngushëllime, ndërsa fjalët i gjejnë me vështirësi.

Top Channel mundi të marrë disa prononcime, nga të afërm, familjarë e miq.

“Fatkeqësi e madhe, nuk duhej të ndodhte.”-tha një i afërm.

“Nuk gjej fjalë, ne na u humbi fëmija, tani… (përlotet) Ishalla s’e kanë fatin e saj të tjerët. Nuk kam c’të them.”-tha një familjare, e veshur me të zeza.

“S’ka dhimbje më të madhe, nuk di e kam përjetuar edhe vetë. Një fëmijë 7 vjec, me babë e nënë ardh prej Anglie, ta mbash para syve e të vi ai i tërbuari … nuk di..”-tha një grua, e njohur e familjes.

“Të përballesh me një qytetar është ndryshe, por me një njeri që punon në polici, kjo është e tmerrshme. Unë isha mbrëmë aty, nuk kishte më tmerr. Kur e pash gjyshen, gjyshin, se familja s’kishte ardh akoma, lutem për atë ëngjëll.”-tregoi një burrë, i njohur i familjes.

Manovra e gabuar e oficerit i mori jetën 7 vjeçares

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka shpjeguar në detaje sesi ndodhi tragjedia e djeshme. Një manovër indietro e skafit të drejtuar nga Arjan Tase, ka qenë shkaku që solli vdekjen e 7 vjeçares.

AMP shpjegon se oficeri ka mbërritur në breg në kundërshtim me ligjin e rregullat, për të zbarkuar nga skafi familjarët.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, A.T., me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, në rrethanat e mëposhtme:

“Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A.T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.”-njofton AMP, ndërsa njoftimi vijon më tutje:

“Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.

Nga veprimet proceduriale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:
– Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;
– Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;
– Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisarjatit të Policisë Himarë;
– Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;
– Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.

Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë, të sipërpërmendur.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.”-përfundon njoftimi i AMP.