Prej afro 2 javësh asnjë humbje jete prej Covid në Shqipëri! ISHP ngre dyshime për variantin Delta

 Prej afro 2 javësh asnjë humbje jete prej Covid në Shqipëri! ISHP ngre dyshime për variantin Delta

E fundit jetë që ka marrë koronavirusi në Shqipëri i përket datës 26 të muajit të kaluar. Prej 2 javësh tashmë nuk ka asnjë pacient që ka ndërruar jetë si pasojë e Covid në territorin e vendit.

Edhe numri i personave të infektuar rezulton të jetë i ulët, me përjashtim të kësaj të premteje, ku janë kryer 2108 testime dhe 15 prej tamponëve dalin pozitivë.

Rastet e qytetarëve të infektuar janë konkretisht : 4 raste në Tiranë, 4 raste në Peqin, 3 raste në Fier, 2 raste në Lushnje, 1 rast në Lezhë, 1 rast në Vlorë.

Por përtej panoramës së qetë, Instituti i Shëndetit Publik ka hedhur dyshime mbi disa mostra, të cilat mund t’i përkasin variantit ‘Delta’ të Covid. Ministrja e Shëndetësisë tha se mostrat do të dërgohen në një laborator në Gjermani, ku do të konfirmohet nëse varianti Delta ka mbërritur ose jo në Shqipëri.

Autoritetet shëndetësore i bëjnë thirrje qytetarëve që të vijnë në qendrat e vaksinimit apo qendrat shëndetësore për të kryer vaksinën. Aktualisht janë kryer mbi 1 milion doza të vaksinave anti-Covid në Shqipëri, ndërsa afro 430 mijë qytetarë, i kanë marrë të dyja dozat.