Rrëfimi i një 28 vjeçare, prekur nga sëmundja e rëndë: Bëni kontrolle, më mirë sesa të shkoni në parukeri

 Rrëfimi i një 28 vjeçare, prekur nga sëmundja e rëndë: Bëni kontrolle, më mirë sesa të shkoni në parukeri

Ishte muaji shkurt i këtij viti kur kjo 28 vjeçare shqiptare u përball me lajmin e rëndë.. Kishte kuptuar se diçka nuk po shkonte e ishte nisur për vizitë tek doktori. Pas disa analizave, ajo mësoi të vërtetën, kishte kancer gjiri, një lloj malinj të sëmundjes.

Françeska tregoi se ditën që mësoi lajmin ishte e vetme në spital.

“Dita e parë ka qenë shumë e vështirë. Shkova vetëm në spital dhe nuk e mendoja se do të isha keq. Doktori nuk donte të më tregonte sepse isha vetëm. Unë kisha shkuar së bashku me vjehrrin por nuk u ngjita lart me të. E pyeta doktorin: ‘a ka diçka të keqe’… e ai më tha, “po si mund t’ja them këtë një vajze 28 vjeçe”.Gjithsesi, doktori  më tregoi e më tha se kanceri në gjoks ishte malinj. Më tregoi që do të më binin flokët. Qava gjithë ditën… por të nesërmen u zgjova e u solla sikur nuk kishte ndodhur gjë. Vazhdova me punën e kurat.

Sëmundjen e kuptova kur kam ndjerë që kam patur diçka në gjoks. Kam bërë një eko por në fillim më thanë që ishte vetëm një cist. E ndjeja që po rritej akoma edhe më shumë e kam bërë sërish vizitë. Aty më kanë thënë që është tumor…”-tregoi ajo në një rrëfim për abc.

Pa pritur që të rëndohej emocionalisht nga rënia e flokëve, 28 vjeçarja vendosi që t’i presë vetë flokët dhe këtë e bëri përmes një videoje në rrjetin social, atje ku u mbështet nga shumë miq e të panjohur.

“Unë punoj në një piceri prej 4 vitesh. Kur bëj kemio-terapi nuk kam forcë të shkoj në punë, por kur bëhem më mirë shkoj… shumë më thonë pse vjen në punë e u tregoj, “pse të rri në shtëpi, duart më punojnë”. Në jetën time nuk ka ndryshuar shumë, nuk e mendoja kështu, por falë Zotit…”-rrëfeu 28 vjeçarja.

“Kur vendosa të heq flokët, nuk e prisja që do të kishte një reagim aq të madh. Një ditë më parë pashë teksa më binin flokët e thashë me vete, po i heq. Videon e bëra që të tregoja se me apo pa flokë, jeta vazhdon.

Im shoq, mami… ata e kanë përjetuar shumë keq. Unë doja që mami të mos e merrte vesh, por ajo e mësoi. Shkoja tek vëllai, ata qanin. Im shoq qante… ndihesha e habitur ndonjëhere e u thoja… “duhet t’ju jap unë forcë juve, apo ju mua”. Unë mendoj se do të kaloj, falë Zotit.”-tha Françeska.

Në përfundim të rrëfimit të saj, 28 vjeçarja kishte këtë mesazh për gratë shqiptare.

“Unë them gjithmonë kështu, më mirë të bësh kontrolle për veten sesa të shkosh në parukeri…unë të them të drejtën jam dhe vetë parukiere se e kam bërë edhe atë kurs (qesh)”