Rusia nisi bombardimet në agim! Çfarë po ndodh në Ukrainë, të paktën 50 viktima deri më tani

 Rusia nisi bombardimet në agim! Çfarë po ndodh në Ukrainë, të paktën 50 viktima deri më tani

Në orët e agimit forcat ruse kanë nisur një seri bombardimesh në disa zona të Ukrainës, duke sjellë kësisoj aktin e parë të luftës.

Të paktën 50 vetë kanë gjetur vdekjen si pasojë e bombardimeve, shumica e të cilëve janë ushtarakë. Sipas Oleksiy Arestovyxh, një këshilltar i Presientit të Ukrainës, “me aq sa dimë ne, ka deri më tani të paktën 10 civilë të vdekur”.

Siç raportoi CNN, (shiko foton poshtë) këto janë zonat ku kanë ndodhur bombardimet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg u shpreh këtë të enjte se sulmi i Rusisë është “i pajustifikuar dhe i paprovokuar”. Ai shtoi se Rusia ka sulmuar përmes goditjeve ajrore, ndërsa forcat tokësore nga disa drejtime, po targetojnë infrastrukturën ushtarake ukrainase.

“Ky është një pushtim i planikifikuar, gjakftohtë dhe i qëllimshëm. Liderët e Rusisë do të mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet dhe jetët e humbura”-tregoi Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s.

Pak më herët Presidenti Rus Vladimir Putin u shpreh se ka nisur një “operacion special ushtarak” për të demilitarizuar dhe “de-nazistifikuar” Ukrainën. Më vonë Presidenti Ukrainas iu përgjigj kësaj deklarate duke thënë se si mund të ishte Ukraina naziste kur humbi 8 milionë njerëz për të luftuar nazistët. “Si mund të jem unë nazist?”-tha Zelenski, i cili vetë është me origjinë hebreje.

BE ndërkohë ka deklaruar se do të ketë sanksione masive për Rusinë, ndërsa liderët e vendeve të Europës bëhen gati për t’ju adresuar popujve të tyre.

Në Ukrainë pamja duket ende e paqartë. Mijëra njerëz kanë zgjedhur të ikin nga shtëpitë e tyre.

Disa tjerë kanë zgjedhur të fshihen nëpër metrotë e qyteteve, siç ndodhi në Kiev.

Ndërsa disa të tjerë janë shprehur se janë gati për të luftuar e për të mbrojtur vendin e tyre.

U zgjova nga zhurma e bombave

Një grua në Ukrainë tregoi për BBC-në se rreth orës 5 të mëngjesit, u zgjua nga gjumi prej zhurmës së bombave në qytetin e Kharhiv-it, i cili ndodhet në veri-lindje të Ukrainës.

“Fqinjët po i binin ziles së derës sime për të më thënë se mbase ka ardhur koha për t’u larguar nga qyteti… nuk dimë se çfarë të bëjmë.”-tregoi ukrainasja.