“Sëmundja ime nuk është ngjitëse” Rrëfimi i gruas që mposhti kancerin, por nuk gjen dot më punë

 “Sëmundja ime nuk është ngjitëse” Rrëfimi i gruas që mposhti kancerin, por nuk gjen dot më punë

Muaji i tetorit i takon një sëmundje që prek miliona gra çdo vit. Ashtu si në çdo vend të globit, edhe gratë në Shqipëri apo Kosovë preken nga kanceri i gjirit, një sëmundje që në shumë raste i merr jetën grave.

Ky është rrëfimi i njërës prej tyre, një 60 vjeçareje e cila arriti ta mposhtë sëmundjen, por sot e ka thuajse të pamundur të gjejë punë.

Radio Evropa e Lirë ka përcjellë historinë e Sejlan Pasulit, një 60 vjeçareje nga Prizreni, e cila jeton me të bijën 20 vjeçe, Andrrën. Sejlani jeton në kushte mjaft të vështira, në një banesë prej 60 metrash katrorë dhe me një ndihmë sociale prej 100 eurosh.

 “Për barna shpenzoj mbi 30 euro në muaj, plus udhëtimin që vij për kontrolle në Prishtinë. Jetoj edhe me ndihma që m’i japin të afërmit”, thotë ajo për REL.

Prej vitesh, para diagnosifikimit të sëmundjes, zonja Pasuli punonte si kuzhiniere në një shkollë private. Për operimin e saj shkolla ka ndihmuar, por pas kalimit të sëmundjes nuk e ka rikthyer në punë. REL vë në dukje se për tre vite, asaj i është ofruar një ndihmë prej 150 eurosh. Të kontaktuar nga REL, drejtuesit e shkollës kanë thënë se Pasuli mund të konkurojë nëse hapen mundësitë për një vend pune.

Por duket se eksperienca e 60 vjeçares me gjetjen e punës, deri më tani ka qenë e pasuksesshme, pasi në shumë prej aplikimeve as nuk është intervistuar.

“Kam shikuar për punë, por askush nuk po më pranon. Edhe kur po e kuptojnë që jam e sëmurë nga kanceri…Kjo sëmundja e kancerit nuk është ngjitëse. Unë jam plot jetë, por jeta më ka rrëzuar pak”, shprehet ajo.

Prishtinë

Por sa rëndësi ka integrimi i një të sëmuri pas përballimit të të tilla sprovave? Besarta Fazliu, psikoterapeute, tregoi se shoqëria jonë duhet të hapet e t’u japë mundësi grave që përballen me kancerin e gjirit e tjera sëmundje të rënda.

“Duhet të gjithë të kenë një mobilizim, të gjithë aktorët, familja, shoqëria e institucionet që të ketë mundësi që atyre t’u jepet hapësira e nevojshme që ato të rikthehen në normalitetin e jetës. Kjo është qenësore t’u jepet shtysë që të riaktivizojnë reziliencën që është qenësore për ta rikthyer një person nga një gjendje fatale”, thotë ajo.

“Ai apo ajo, në rast se nuk ka mundësi të angazhohet, dëmtohet edhe në aspektin psikik edhe i vështirësohet jeta. Ata mund të nxisin konflikte të tjera se do t’iu prishet bilanci jetësor”, shpjegon psikoterapeutja.

Nafije Latifi, themeluese e shoqatës “Jeta Vita”, shoqatë e cila ndihmon gratë, tregon po ndihmon mesa mundet gratë që përballen me kancerin e gjirit.

“Me qenë shoqëri e organizuar, sigurisht që kishte ndodhur diçka, por në këtë mënyrë nuk bëhet. Ne kemi probleme edhe të diagnostikimit, edhe të trajtimit, edhe të mbulueshmërisë me barna edhe me staf e me shumë probleme”, thekson ajo.

Në Kosovë, që prej janarit e deri në shtator 2021, janë ofruar rreth 200 mijë shërbime mjekësore onkologjike. Gjatë kësaj periudhe janë diagnostifikuar 1100 raste të reja me kancer, e më shumë se 300 gra janë diagnostifikuar me kancer të gjirit.