“Shkoi të kapë topin, e mori rrjedha… i vëllai tentoi ta shpëtonte” Në kërkim të një 10 vjeçari në lumin Fan

 “Shkoi të kapë topin, e mori rrjedha… i vëllai tentoi ta shpëtonte” Në kërkim të një 10 vjeçari në lumin Fan

Një ngjarje trishtuese dhe e dhimbshme. Kërkimet vijojnë por ende pa e gjetur trupin e një 10 vjeçari, të cilin e mori rrjedha e lumit Fan në fshatin Shtrungaj të Mirditës.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme teksa 10 vjeçari së bashku me shokët po luanin me top. Topi u ka rënë në lumë dhe i mituri në tentativë për të kapur atë, është marrë nga rrjedha e fortë.

Daja i të miturit ka folur në një prononcim për Abc, duke treguar se për ta nxjerrë 10 vjeçarin ka tentuar i vëllai, por nuk ka mundur.

“E kam djalë motre. Më thanë se ishte duke luajtur top, topi kishte rënë në ujë dhe kishte dashur ta marrë… i vëllai ka shkuar ta shpëtojë, s’ka mundur. Shyqyr që ai të paktën shpëtoi për vete. Shtetin e kanë lajmëruar (pasdite) por ka ardhur shumë vonë. Unë u lutem, që të paktën ta gjejmë djalin. Këtu ka pasur raste të tilla. Sipas të dhënave të njerëzve, këtu ka patur fëmijë 5 vjeç që ka vdekur. Ka hyrë në ujë e akoma nuk është gjetur… sipas njerëzve e të dhënave të tyre. Inshallah do Zoti, e shteti të marrë masa, që të paktën ta gjejmë (trupin), për hallin e motrës e të dhëndrit. Jemi këtu që nga mbrëmja e deri më sot. Këtu ka shumë përrenj e rrjedhë, ju po e shihni edhe vetë sesa shumë ujë ka këtu. Ishalla do Zoti, policia, këta që kanë ardhur (polumbarët) e gjejnë, sepse është shumë e vështirë”-tregoi daja.

Këtë të mërkurë 4 polumbarë të RENEA-s, disa dhjetëra forca policie e po ashtu dhjetëra banorë të zonës, kanë zgjeruar kërkimet për të gjetur 10 vjeçarin. Deri më tani është gjetur topi që vogëlushi tentoi të nxjerrë nga uji. Topi u gjet disa kilometër larg vendit ku po luanin fëmijët.