“Shumë prej tyre janë në ankth” Gruaja që ndihmon nënat që rrisin të vetme fëmijët

 “Shumë prej tyre janë në ankth” Gruaja që ndihmon nënat që rrisin të vetme fëmijët

Përgjatë viteve të fundit ndër shqiptari, numri i divorceve është rritur. E me thyerjen e një martese, më të dëmtuarit mbeten fëmijët, të cilët në shumë raste braktisen.

E shtyrë nga përvoja e saj me divorcin e rritjen e fëmijës me forcat e veta, një 43 vjeçare nga Prishtina vendosi të krijojë një shoqatë, për t’i ardhur në ndihmë grave që detyrohen t’i rrisin të vetme fëmijët (nënë vetëushqyese).

“Jam Arjeta Gashi, drejtoreshë e Shoqatës së Prindërve të Ndarë në Kosovë. 8 vite më parë unë personalisht kalova në divorc. Natyrisht që ka qenë shumë e vështirë, përveçse përfundon një problem, një martesë e dështuar, fillon nevoja për çështjen e kujdestarisë së fëmijës, paraqitet nevoja për ushqimin, ndarjen e pasurisë e të tjera. Unë kam hasur në shumë vështirësi.”-tha Arjeta në intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Pas eksperiencës së saj të vështirë, Arjeta hapi shoqatën me idenë e shërbimit e përkujdesjes së grave që patën të njëjtin fat si ajo.

“Ne në fokus kemi gjykatën, sepse problemet kryesore rrjedhin nga vetë drejtësi. Më tutje japim shërbime apo trajtime psikologjike. I informojmë nënat për të drejtat e tyre rreth divorcit, rreth kujdestarisë së fëmijëve, rreth qendrave të punës sociale. Kemi arritur t’i ulim kriteret apo t’i ndryshojmë ato, që nënat vetëushqyese të kenë qasje në skemat sociale.”-tregon Arjeta.

Afro 1 vit më parë, nënat që mbanin të vetme fëmijët merrnin 90 euro ndihmë sociale, vetëm me vendim të gjykatës, por me ndryshimet e iniciuara nga shoqata, ato mund të bëhen pjesë e skemës sociale.

Shoqata ka arritur të ndihmojë 320 nëna të cilat kujdesen e përballen të vetme me rritjen e fëmijëve.

Natyra Agani ofron ndihmë psikologjike në shoqatë, nga prej ku thotë se ka parë mjaft raste të grave, nënave të cilat janë përballur me sprova të mëdha.

“Shumica e nënave, për të mos thënë të gjitha, kanë nivele të larta të ankthit për shkak të përvojave, abuzimeve e formave të ndryshme të dhunës. Vijnë shumë të ngarkuara…”-tregoi psikologia për REL.