Si ndodhi aksidenti me 10 viktima në Kroaci! Në autobusin me targa të Kosovës kishte dhe fëmijë

 Si ndodhi aksidenti me 10 viktima në Kroaci! Në autobusin me targa të Kosovës kishte dhe fëmijë

Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të dielë në Kroaci (afër qytetit Slavonski Brod), ku një autobus me targa të Kosovës i cili udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës është pëmbysur. Për pasojë 10 persona kanë humbur jetën, 9 pasagjerë dhe një prej dy shoferëve të autobusit.

Të lënduar janë 44 persona, 15 prej tyre të lënduar në gjendje më të rëndë. Siç shkruan media kroate “24sata.hr”  , dyshohet se shkak i humbjes së kontrollit të autobusit e daljes nga rruga, ka qenë lodhja apo përgjumja e shoferit. Gjithsesi shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe do të jetë ekspertiza e cila do të hedhë dritë mbi këtë çështje.

Shefi i policisë rrugore të stacionit policor Slavonski Brod, Franjo Galiç, u shpreh për median lokale atje se ky ishte aksidenti më i rëndë që kishte parë.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha ai.

Drejtori i Emergjencës Civile Damir Trut, dha po ashtu detaje në lidhje me aksidentin, duke shtuar se në autobus kishte 67 pasagjerë e dy shoferë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë.

“Në autobus kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë. Nëntë pasagjerë dhe një nga shoferët kanë humbur jetën. Deri më tani 44 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin e policisë dhe po presin të marrin trajtim mjekësor”, tha ai duke konfirmuar se në autobus kishte edhe fëmijë.

Ministri i Shëndetësisë në Kroaci Vili Berosh, ka shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka treguar se 15 persona ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai tha se një prej të lënduarve rëndë është dhe një vajzë e mitur. Sipas tij 15 pasagjerë ishin fëmijë të mitur.

“69 persona ishin, 67 pasagjerë dhe 2 shoferë u përfshinë në aksident. 15 persona u plagosën rëndë. Kishte edhe të mitur në aksident, një vajzë u lëndua rëndë”, tregoi ministri kroat.

Po sipas medias kroate (24sata.hr) dy shoferët e autobusit nga Kosova, kanë pushuar për afro gjysëm ore në Bregana, përpara se të ndodhte aksidenti. Ata janë ndërruar dhe drejtimin e autobusit e ka marrë shoferi tjetër. Dyshimet (sipas raportimit në median kroate) janë se aksidenti ka ardhur nga lodhja e shoferit që mori në drejtim automjetin. Shoferi që ndërroi jetë ka qenë ai i cili udhëtonte si pasagjer.

Çfarë tha ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli

Ambasadori i Kosovës në Kroaci Gëzim Kasapollim ka folur për median kroate gjatë vizitës së tij në spitalin rajonal në Slavonski Brod, atje ku janë të shtruar personat e lënduar nga aksidentit tragjik. Ambasadori ka shprehur ngushëllimet e tij, duke thënë se autobusi kishte mërgimtarë të Kosovës, që jetonin e punonin në Gjermani dhe që i ishin drejtuar vendlindjes për pushime.

“Këta janë të gjithë njerëz tanë që punojnë në Gjermani dhe që po vinin për pushime në Kosovë”

Më tutje ambasadori shtoi se falenderon qeverinë e Kroacisë për të gjithë ndihmën e gadishmërinë e treguar.

“Fatkeqësisht kemi ardhur për shkak të një aksidenti të tmerrshëm. Unë thjesht do të doja ta falënderoja Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe të gjithë autoritetet që na ndihmuan në këtë kohë. Unë vetëm mund të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe t’u kërkoj atyre që të kenë mirëkuptim edhe për ne. Ne të gjithë do të jemi pranë tyre në këto kohë të vështira”, tha Kasapolli.

Reagime të shumta në lidhje me aksidentin tragjik kanë ardhur dhe nga politikanët në Kosovë e Shqipëri.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dha këtë mesazh në lidhje me ngjarjen:

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti:

Reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkovic:

“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një autobusi në rrugën afër Slavonski Brod, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Shpresoj që pasagjerët e lënduar të shërohen”