Xhamia 400 vjeçare në fshatin Zgosht në Librazhd

 Xhamia 400 vjeçare në fshatin Zgosht në Librazhd

Nga jashtë duket si një banesë e vjetëruar nga koha.

 Në fakt kjo godinë është e vjetër. Më saktësisht 400 vjeçare. Është një ndër xhamitë më të vjetra në Librazhd. Godina e kultit ndodhet në fshatin Zgosht, fare pranë parkut kombëtar Shebenik- Jabllanicë.

“Kjo xhami ka afro 400 vite, mos më shumë që është ndërtuar. Nuk ka patur tjera, që tregojnë baballarët e gjyshërit tonë. Në fshatin tonë ka patur afro 40 familje sipas gojëdhënave”-u shpreh një banor.

Për ta mirëmbajtur xhaminë, kanë kontribuar vetë banorët e në veçanti mërgimtarët e fshatit, të cilët kanë siguruar të ardhurat për të ndërruar çatinë.

“Çatinë e kemi ndërruar falë djemve, emigrantëve tanë. Xhamia lëndët i ka shumë të mira, trarët përshembull i ka të fortë, sikur të jenë vendosur sot.”-shpjegoi një banor i zonës për abc.

Në vitin 1967, Shqipëria komuniste do të bëhej vendi i parë në botë ateist. Ashtu si me shumë godina kulti edhe kjo xhami qindravjeçare do të kthehej në një depo.

“Këtu janë mbajtur drithëra se ishte afro qendrës së fshatit. Në vitet ’90 më tutje u hap si xhami dhe e kemi mirëmbajtur. Ne kërkojmë nga shteti që ta bëjë monument kulture. Këtu ka rrapë që janë monumente, e jo kjo xhami afro 400 vjeçare, që kërkon një rikonstruksion. Përshembull tavani është një vlerë e paçmuar, nuk ka njeri që punon sot ashtu”-përfundoi banori i zonës.