10 jetë të shuara, shumica fëmijë… familja më e goditur nga tragjedia në Bullgari

 10 jetë të shuara, shumica fëmijë… familja më e goditur nga tragjedia në Bullgari

Aksidenti në autostradën e Strumës në Bullgari hyn në histori si një ndër më tragjikët në të gjithë Evropën.

Dhimbja mes familjarëve të viktimave është e madhe. Shumë prej tyre janë nisur tashmë drejt Bullgarisë për të mësuar për fatin e të dashurve të tyre, ndërsa ata që i shpëtuan flakëve ndodhen të shtruar në spitalin e Sofjes.

Familja që humbi më shumë njerëz, mes të cilëve 8 fëmijë të mitur, është familja Jahiu nga Shkupi.

Për Tv21, një prej familjarëve të familjes, Sabatin Jahiu, tregoi se kanë ndërruar jetë 10 anëtarë të familjes dhe 2 të tjerë të rrethit të gjerë familjar.

“…anëtarët e familjes janë 10, ka qenë edhe motra e njërës prej viktimave, është prej fshatit Studeniçan, e martuar atje. Edhe ajo ka qenë, mes sa është e konfirmuar, me vajzën e saj. Do të thotë 10 familja më e ngushtë dhe 2 viktima tjera që kanë qenë rrethi gjerë.

Dy gra dhe tetë fëmijë, të moshës së ndryshme, njëra ka qenë 7 vjeçe, më e vogla vajzë, një djalë 10-12. Në këtë lagje ku jetojmë kemi edhe një Mekteb, një pjesë prej tyre, 4-5 kanë qenë pjesë e Mektebit tonë”tregoi familjari.

Familja 4 anëtarëshe Ahmeti ishte një tjetër humbje e dhimbshme. Babai, nëna dhe binjakët 4 vjeçarë ndërruan jetë në tragjedi. Vëllezërit binjakë, ishin më të rinjtë në këtë tragjedi të madhe.

Fqinjët i treguan gazetarëve të Alsat, se çifti prej 8 vitesh nuk kishte patur fëmijë dhe prej pak vitesh ishin lumturuar me ardhjen në jetë të binjakëve.